Lulëzim Topçiu është një prej inxhinierëve të parë të elektronikës në vend, por edhe një prej inxhinierëve që prodhoi televizorin e parë bardh e zi në në ish-Uzinën e Radio Televizorëve (URT-ja) e famshme e Durrësit. Lulëzimi në këtë uzinë njohu edhe bashkëshorten e tij Violetën, e cila deri kur doli në pension punoi po aty. Çiftin e moshuar e takuam në breg të detit, aty ku qytetarët e vjetër durrsakë takohen e qëndrojnë me njëri-tjetrin.
Ish-inxhinieri i URT-së thotë në një intervistë për DurrësLajm se ka lëvizur e ka vizituar të gjithë botën, madje edhe në atë kohë kur askush nuk lëvizte, por ngrohtësinë e diellit durrsak nuk e ndërron me asnjë vend tjetër. Ai thotë se si inxhinier elektronik mori eksperiencë në shumë vende të Perëndimit dhe të Lindjes para viteve ‘90, atë kohë kur ish-URT-ja ishte shpresa e vetme e shqiptarëve për të patur një televizor në shtëpinë e tyre. Inxhinieri thotë se URT-ja mund të ishte shpëtuar e të kthehej në një fabrikë moderne, jo vetëm sepse kishte kualitete shumë të mira, por edhe sepse fuqia punëtore në Shqipëri është shumë e lirë në raport me fuqinë në Perëndim.
Violeta, bashkëshortja e tij, thotë se sa herë që përmendet ish-URT-ja ndjejnë shumë trishtim të thellë, se si një uzinë u shkatërrua aq shpejt për interesa që nuk i mësuan dot.
INFO
URT-ja e Durrësit është e njohur në të gjithë vendin për radiot dhe televizorët. Prodhimet e saj u shpërndanë në të gjithë Shqipërinë dhe për shkak të cilësisë së tyre flitej gjithandej si për një nga uzinat më të mira. Uzina e Radios dhe Televizorëve në Durrës ka nisur të funksionojë fillimisht si një punishte me prodhime artizanale dhe produkte të ndryshme. Ajo shërbeu për prodhime elektronike të konsumit të gjerë dhe për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Punishtja e parë daton në vitin 1963 si një repart më vete i Uzinës Elektro Mekanike (UEM). Vetëm diku rreth viteve 1973-1974 mori fizionominë e saj të plotë dhe filloi të funksionojë si uzinë. Në vitet 1980 për herë të parë u prodhua televizori me ngjyra i markës “Blaupunkt”. Në pikun e kapacitetit të prodhimit, URT hidhte në treg 9 mijë radio dhe 6 mijë televizorë.
Në fillimet e veta prodhoheshin jo më shumë se pesë radio në muaj për të shkuar deri tek 50 të tilla. Pasi u ndërtua Uzina e Radiove dhe Televizorëve prodhimi ditor shkonte në 300 copë në muaj. Me futjen në linjë të prodhimit të amplifikatorëve, stabilizatorëve dhe magnetofonëve u pa e nevojshme zgjerimi i objekteve. Të gjitha shkollat e ndërmarrjet nisën të furnizoheshin me qendra zëri e radio. Me pjesët që merreshin në Nish, Jugosllavi u prodhua televizori “Rozafa”, kurse me atë të linjës rumune televizori “Adriatiku”. Përmirësimi i linjave bëri që të prodhohej edhe televizori me ngjyra “Blaupunkt” në vitin 1980, prodhim gjerman. Specialistët dhe inxhinierët në Durrës ishin aftësuar të prodhonin çdo markë televizori. Pasi gjetën pjesë teknikët prodhuan televizorin “Riviera”, “Rozafa” të njëjtë me PHILIPS-n italian e BLAUPUNKT-in gjerman. Për shkak të kërkesës së madhe në treg u rrit edhe sasia e prodhimit, e cila shkoi deri në 9000 radio në vit dhe 6000 televizorë. Një radio shitej mesatarisht 5 mijë lekë, televizori bardhë e zi 45 mijë lekë dhe ai me ngjyra 60 mijë lekë. Televizorët jepeshin vetëm me autorizim. Uzina arriti që të prodhojë edhe bobina për transformatorët e tensionit të lartë dhe një hap i tillë u cilësua si sukses për kohën.
K.H.





