Bashkëshorti dhe bashkëshortja G.M. dhe B.M. janë gjetur të vdekur në shtëpinë e vet në Babimoc të Obiliqit, ka njoftuar sot RTS, duke u thirrur në burime të banorëve të fshatit dhe të Policisë. Siç theksohet, ka dyshime për vrasje e vetëvrasje.

Trupat e pa jetë të dy qytetarëve të nacionalitetit serb i kanë gjetur mbrëmë rreth orës 20:00 të afërmit e tyre dhe rastin ia kanë paraqitur policisë, ndërsa Urgjenca vetëm e ka konstatuar vdekjen e tyre, shton RTS.

“Dhoma në të cilën u gjetën trupat ka qenë e mbyllur. Të afërmit thyen derën dhe gjetën trupat e pa jetë. Gruaja ka shenja mbytjeje me litar në qafë e burri ka plagë të therjes me thikë”, i kanë thënë RTS-së banorët e Babimocit.

Policia po e heton rastin, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në obduksion.

E sot Qeveria e Republikës së Kosovës me anë të një komunikate për media, është shprehur e shqetësuar me informatat për vdekjen në rrethana të pasqaruara të 2 qytetarëve në Babimoc të Obiliqit.

“Qeveria kërkon nga organet e rendit që të ndriçohet ky rast sa më shpejt që të jetë e mundur.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës fton të gjithë qytetarët që mund të kenë informata për rastin të bashkëpunojnë me organet e rendit”, thuhet në komunikatë.