Indianët kanë nisur të zbulojnë Shqipërinë. Megjithëse dy vende shumë larg njëri tjetrit, vendi i shqiponjave u duket mjaft interesant. Në plazhin e Durrësit takuam një çift nga India, që po zhvillon një tur 10 ditor në Shqipëri dhe shprehen të surprizuar nga ajo çfarë kanë parë këtu.
“Na pëlqeu Gjirokastra, Saranda, Ksamili. Në Durrës kemi ardhur mbrëmjen e djeshme. Është qytet i bukur, tek ju bën shumë nxehtë”.
“Është shumë bukur këtu, por mendoj se Shqipëria ka ende punë për të bërë në sektorin e turizmit. Nuk ka shumë informacione për turistët”.
Liberalizimi i vizave turistike për shtetasit e huaj, që e zgjedhin Shqipërinë si destinacion për pushime ka qenë një plus më shumë për këtë çift për të ardhur në vendin tonë.
“Bëmë disa kërkime në internet, sepse donim një gjenim një vend perfekt për pushime, sepse nuk kishim shumë kohë për të marrë vizën. Fatmirësisht në Shqipëri nuk kemi nevojë për viza, kështu që vendosëm të vinim”.
Të ardhur nga një vend me kulturë, tradita dhe gastronomi shumë ndryshe nga ajo shqiptare, përshtatja ka qenë pak problematike.
“Ushqimi ka qenë pak problem për mua këto ditë, pasi jam vegjetariane. Nuk ha vezët, peshkun dhe mishin. Ushqimi ka qenë sfida më e madhe këtu”.
Të rrethuar nga fqinjë të njohur në mbarë botën si destinacione turistike mjaft të preferuara, Shqipëria vetëm vitet e fundit po synon të kthehet në një konkurent të denjë në sektorin e turizmit. Promocioni i bukurive të tokës shqiptare duket se është ende shumë i vakët në Indi, por vizitat sporadike të nënshtetasve indianë dhe mikpritja që ata gjejnë këtu janë pasaporta më e mirë për të rritur numrin e vizitorëve dhe turistëve nga shtetet aziatike.
“Shqipërinë nuk e njohin shumë në Indi. Njerëzit preferojnë Greqinë apo destinacione të tjera evropiane, sepse nuk kanë shumë informacion për vendin tuaj. Por mendoj se në 5-10 vitet e ardhshme, Shqipëria do të jetë një destinacion mjaft i preferuar dhe i kërkuar.”
“100% do ta rekomandoj vendin tuaj si një destinacion për t’u vizituar. Kam marrë shumë numra telefoni të shoferëve të taksive, të njerëzve që flasin anglisht dhe do t’ia jap rrethit tim shoqëror, që t’i kontaktojnë kur të vijnë këtu për pushime”.
Për këtë çift nga India, Shqipëria që zbuluan këto ditë ishte përtej pritshmërive të tyre. Dhe duket se përshtypjet mjaft të mira që morën nga vendi i shqiponjave do të përkthehen në vazhdim në vizita të tjera turistike nga shtetas indiane në vendin ballkanik buzë Adriatikut dhe Jonit.
M.B.





