Itali, 10 korrik 2014 – Policia e qytetit të Raguzës në Siçili arrestoi një shqiptar L.A., 30 vjeç dhe gruan e tij italiane DP.M., 28 vjeçe, sepse kishin vjedhur së paku 12 traktorë bujqësorë në fshatrat dhe qytezat rreth Raguzës.

Ata, pasi i vidhnin traktorët, përdornin dokumente false apo dokumente të traktorëve të çuar për skrap, për t’ua rishitur fermerëve italianë apo edhe për t’i eksportuar në Shqipëri.

Në disa raste, ata u ndërronin jo vetëm dokumentat, por edhe numrat e shasive traktorëve të vjedhur, në mënyrë që të mos zbulohej vjedhja, kur traktorët u shiteshin me dokumenta të rregullta noterialë klientëve të ndryshëm.

Eksporti i këtyre traktorëve në Shqipëri bëhej me procedurë të rregullt doganore, duke shfrytëzuar mungesën e vigjilencës së doganierëve italianë. Policia arriti të identifikojë disa nga viktimat e këtyre vjedhjeve dhe ua ktheu atyre menjëherë traktorët e vjedhur.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/