TIRANE- Vajza e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi si dhe bashkëshorti i saj Jamarbër Malltezi kanë reaguar ndaj akuzave të kreut të PS-së Edi Rama. Cifti Malltezi deklaron se deklaron se pasuria e saj është e ligjshme dhe e deklaruar, teksa akuzojnë liderin e socialistëve si shpifës, të cilën e ka kapur paniku ndaj korrupsionit të familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij. 

“I kapur në panik nga zbulimi i korrupsionit të tij, të familjareve dhe të bashkëpunëtorëve të tij, Z.Rama nën moton “shpif, shpif se dicka mbetet”, vazhdoi sot për të 13-tën herë sulmet e ulta politike dhe pa asnjë fakt në lidhje me të ardhurat tona dhe burimet e tyre plotësisht transparente. Ne u kemi faktuar institucioneve shtetërore dhe Shqiptarëve se të ardhurat tona janë të qarta, nga burime të pastra, të ligjshme dhe te njohura, të përfshira në mënyrë të plotë në deklarimin pranë organeve tatimore dhe ILDKP, të cilat janë dokumente publike, që mund të disponohen nga kushdo. Këto të ardhura janë krijuar nga aktiviteti profesional, mësimdhënie, kërkim shkencor, botime librash profesionale, pjesmarrje ne konferenca kombetare e ndërkombetare, qera nga apartamente në pronësinë tonë dhe trashëgimi familjare; të gjitha këto të përfshira dhe të vërtetuara me firmat tona dhe punëdhënësve tanë, me derdhjet bankare dhe me kontratat përkatëse të deklaruara në organet tatimore dhe ILDKP; dhe e kemi bere kete vite me pare se ligji te kekonte nje gje te tille. Këto institucione kane bere kontrollet e tyre dhe kane dale me njoftim zyrtar duke ikonsideruar ato transparente dhe konform ligjit. Keto kane qene dhe jane standartet tona”, thuhet në njoftimin për media të ciftit Malltezi. 

Çifti Malltezi i rikujton edhe një herë më shumë kreut të socialistëve që të hedhë dritë mbi pasurinë e tij, ndërkohë që duke përmendur shifrën prej 100.000 milion lekësh të derdhur sipas tyre në llogarinë bankare të bashkëshortes së Ramës, Linda Rama, ato kërkojnë transparencë për personin që u ka dhuruar sipas tyre “një thes me para”. 

“Një javë më parë ne ju bëmë thirrje dhe përsëri ju ftojme Z. Rama që për 13 vite ministër dhe kryetar bashkie, i deklaruar si i pastrehe dhe me pasuri 3 mijë euro, të bësh publike dhe me të njëjtin standart transparence të ardhurat e tua si dhe te ndricosh ndër të tjera, një nga pasuritë e bashkëshortes tënde Linda Basha, e cila ka deklaruar që është përfituese e një huaje pa interes, pra dhurate, prej jo më pak se 100 milion lekësh nga një person anonim. Shtojmë këtu se kjo shumë nuk është deklaruar si e derdhur në bankë, por është marrë nga Linda Basha me para të thata në dorë. Ju bëjmë me dije se në doktrinen e larjes se parave, huaja pa interes, dhe e theksojme, nga persona anonimë, konsiderohet tejet e dyshimtë për pastrim parash. Z.Rama tregoju Shqiptareve se si mund të merret një hua prej 100,000 milion lekësh pa interes? A mos është kjo një dhuratë? Kush është bujari anonim qe ka paguar 100 mln dhe për cfarë i ka paguar? Dhe se fundi, në sa thasë i mbani ju dhe gruaja juaj 100 milion lekë z.Rama nëse nuk i keni në bankë”, përfundon deklarata për media e ciftit Malltezi.