“Nëse do të zgjidhja të merrja KEMP-in, do thoja: Paskam mbaruar si njeri. I dhashë kurajo vetes dhe vetëm me kurajo bëhet çdo gjë”

23 vite më parë jeta u dha një goditje të fortë.

Agron dhe Suzana Myftari rrezikuan të digjeshin të gjallë brenda rulotit, ku ushtronin aktivitetin e tyre tregtar, një fast food pranë stacionit të trenit në Durrës.

Shenjat e djegies prej shpërthimit të bombulës së gazit i kanë akoma mjaft evidente.

Agroni i kujton kështu ato momente tmerri.

“Nuk mbaj mend asgjë nga ato çaste, kujtoj vetëm që u mbush kabina me flakë. Kur dola jashtë me gruan dhe motrën flaka shkoi në maksimum. U dogj çfarë ishte brenda, xhiroja, kapitali që patëm etj. Nuk e mendova fare këtë pjesë ato momente, mendova vetëm të shpëtoja kokën e këtyre të dyjave, se për veten nuk e kisha problem”.

Rikuperimi qe një proces i gjatë për prindërit e dy fëmijëve të mitur. Pas një qëndrimi 3 mujor në spital në Tiranë u kthyen në shtëpi, por nuk mund të përdornin duart.

“Kur u kthyem nga spitali diskutuam çfarë do të bënim. Pavarësisht duarve të djegura, i hyra prapë punës dhe me anë të saj realizova gjithçka. Mund të rrija edhe në shtëpi, por nuk do të fitoja gjë”,- thotë Agroni.

Goditja e fortë që morën iu kthye në forcë, e këtë e dëshmon më së miri Suzana, që në çdo moment ka qenë në krah të bashkëshortit në ecurinë e biznesit dhe rritjen e fëmijëve.

“Kanë qenë momente të vështira, vajza më ushqente mua, ndërsa djali të atin. Ajo periudhë ka qenë një stres edhe për ta dhe mendoj se ata u rritën para kohe. Djali nisi të ndihmonte të atin, që ende si përdorte tamam duart. Gjithashtu, ne u jepnim në atë kohë fëmijëve një shumë të caktuar. U thonim, ju do punoni por edhe do të paguheni. Në këtë formë i inkurajonim, që ata të bëheshin si ne”,– tregon Suzana.

23 vite më pas, ata janë shumë krenarë për atë çfarë kanë arritur. Sfidat që u ka sjellë përballë jeta u kanë shtuar edhe më shumë vullnetin për t’u ringritur.

Sot kur janë 65 dhe 58 vjeç, Agronin dhe Suzanën i gjen çdo ditë pranë rulotit të tyre, duke çuar përpara biznesin.

Me buzëqeshjen në fytyrë dhe dashamirësinë e treguar ndaj çdo klienti, ata njihen prej shumëkujt në qytet.

Lumturinë e tyre e shton më shumë fakti se kanë përçuar tek fëmijët të njëjtat vlera që ata i kanë bërë të ecin përpara.

Çifti Myftari është shembulli më i mirë, që tregon se dorëzimi para sfidave nuk është zgiidhje, përkundrazi, ia vlen të luftosh sa herë jeta të sprovon vullnetin…

M.B.