Dy shqiptarë, burrë e grua, janë arrestuar dy ditë më parë në Venecia, Itali.
Çifti 47 dhe 39 vjeç, kishin ardhur nga Franca në Itali dhe kishin planifikuar të bënin pushime në vendin fqinjë.
Siç raportojnë mediet italiane, ata udhëtonin me një makinë me targa italiane, që ishte në pronësi të një tjetër shqiptari, me precedentë penalë.
Pasi u ndaluan për një kontroll nga policia, çifti tha se ishin në Venecia për pushime romantike, por u shfaqën të shqetësuar para karabinierëve, madje gruaja tentoi të hidhte 150 gram kokainë që kishte me vete.
Nga kontrolli i mëtejshëm policor u zbuluan edhe 250 gram të tjera kokainë, në gomën rezervë të makinës.
Çifti kishte me vete dhe 6.450 euro, që iu sekuestruan.
Siç raportojnë mediat lokale, nëse do të shitej, droga do të gjeneronte rreth 40.000 euro.
Çifti është dërguar në burgjet e Venecias, “Santa Maria Maggiore” e “Giudeça”.





