ITALI, 5 prill 2013 – Një çift bashkëshortësh i ka dhënë fund jetës duke u vetvarur. Romeo Dionisi, 62 vjeç dhe gruaja e tij Anna Maria Sopranzi, 68 vjeç po kalonin probleme të shumta ekonomike. Ndërkohë agjencia e lajmeve ANSA informon se edhe vëllai i gruas, një 72 vjeçar, ka kryer vetvrasje duke u mbytur në det.
Sipas policisë, çifti i bashkëshortëve jetonte vetëm me pensionin e gruas që vërtitej në shumën 400-500 euro. Ata kishin lënë një letër ku kërkonin falje për veprimin e tyre, por dhe shpjegonin arsyet pse ishin detyruar të kryenin këtë akt.
Çifti jetonte në të njëjtin pallat me kryetarin e këshillit bashkiak të Civitanova Marche. Megjithëse ky i fundit u kishte thënë të drejtoheshin në komunë për ndihmë ata kishin refuzuar, pasi u vinte turp. Kriza ekonomike që ka goditur shumë familje italiane po dëmton jo vetëm anën financiare të familjeve por edhe atë psikologjike.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





