Sokol Cikalleshi ka nënshkruar dje me Osmanlispor, klubin tjetër turk. Mirëpo, angazhimi me këtë transferim i ka kushtuar sulmuesit kavajas mbetjen jashtë grumbullimit me kombëtaren për dy ndeshjet e radhës kualifikuese, ndaj Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë. Ka qenë trajneri Cristian Panucci, ai që nuk i ka dhënë disa orë leje futbollistit, duke i thënë të qëndrojë në shtëpi.

Cikalleshi nuk ka dashur të bëjë polemika me trajnerin Panuçi: “Më vjen keq për keqkuptimin me trajnerin. U krijua një rrethanë me klubin e ri, ku duhej të firmosja, çka më imponoi ndryshimet e orareve. U përpoqa të isha sa më korrekt edhe me axhendën e përfaqësueses dhe i kërkova leje trajnerit, por kjo nuk qe e mundur. E respektoj vendimin e trajnerit, sepse në fund të fundit edhe ai ka rregullat e veta. Ishte thjesht një keqkuptim. Sokol Cikalleshit asnjëherë nuk i ka munguar respekti për ekipin kombëtar dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë, as në të ardhmen. Ishte një keqkuptim dhe tani thjesht do të më duhet të respektoj vendimin e trajnerit”.