9 dhjetor 2014 –  Sokol Çikalleshi kërkohet nga Sampdoria dhe mësohet se sot është arritur një akord paraprak mes futbollistit dhe klubit që militon në Seria A. Sulmuesi Sokol Cikalleshi u transferua nga skuadra e Kukësit te RNK Split gjatë verës, ndërsa po shkëlqen në kampionatin kroat. Përveç kësaj, ai ka fituar fanellën e Kombëtares dhe është aktivizuar në disa ndeshje nga tekniku italian De Biazi. Përsa i përket transferimit, ende nuk bëhen të ditur detajet. Lajmin bombë e dha eksperti i merkatos së "Sky Italia", Gianluca Di Marzio pas derbit Partziani-Tirana në një lidhje për Super-Sport. Gazetari i njohur italian, bëri me dije se drejtori sportiv i Sampdorias, Carlo Osti, ndoqi derbin e Splitit për të vëzhguar nga afër bomberin kuqezi, i cili konsiderohet si pasardhësi i sulmuesit Manolo Gabiadini, i cili do të largohet me destinacion Napolin në merkaton e dimrit.

"Drejtori sportiv i Sampdorias, Carlo Osti ndoqi nga afër Cikalleshin në derbin Hajduk Split-NK Split, i cili mund të zëvendësojë Gabiadinin edhe pse është një lojtar me karakteristika të ndryshme por shumë i ri. Ai mund të rrisë numrin e kolonisë së lojtarëve shqiptarë në kampionatin Italian, mes të cilëve, Hysaj, i cili konsiderohet këtu në Tiranë si një nga produktet më të mira të futbollit shqiptar", ka thënë Di Marzo. Di Marzio shfrytëzoi hapësirën që iu kushtua futbollit shqiptar, për të intervistuar edhe Paolo Tramezanin, ndihmësin e trajnerit të kombëtares, Gianni De Biassi. "Niveli i kampionatit shqiptar është rritur shumë në vitet e fundit. Ti ndoqe një ndeshje mes dy skuadrave që luajtën deri në pikën e fundit të djersës sepse ky është një derbi i shumëpritur në Shqipëri. Rritja e nivelit të kombëtares lidhet edhe me përmirësimin e nivelit të ekipeve këtu", është shprehur numri dy i stolit kuqezi.