Futbollistët e kombëtares shqiptare zhvilluan paraqitje pozitive në klubet ku aktivizohen. Sokol Cikalleshi u rikthye te goli në kampionat turk të futbollit me skuadrën e Konyaspor, në fitoren 3-0 kundër Samsunspor.

Sulmuesi i Kombëtares realizoi me kokë në minutën e 38-të, duke vulosur fitoren e Konyaspor. Ky ishte goli i 12-të në kampionat për Cikalleshin, ndërsa ka dhënë edhe pesë asiste.

Taulant Seferi vazhdon të zhvilloj paraqitje pozitive me ekipin e Bani Yas në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në difstën 3-2 përballë Sharjah FC, sulmuesi kuqezi dhuroi një asist për shokun e skuadrës Alvarez që ngushtoi diferencën.

Seferi ka zhvilluar një sezon të mirë në aspektin personal, teksa numëron 9 gola dhe 4 asiste deri më tani në kampionat.

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, po kalon një moment fantastik në karrierën e tij. Pas paraqitjes së shkëlqyer në Europa League, ku Atalanta arriti në finale pas triumfit 3-0 kundër Marseille edhe në Serie A, Gjimshiti ishte lider në zemër të mbrojtës.

Në fitoren 2-1 kundër Romës, shqiptari ishte i miri në mbrojtje duke u vlerësuar maksiamilisht nga shtypi italian, ndërsa u vlerësua me notën 7.1 nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score”.

Gjimshiti regjistroi 5 duele të fituara nga 8 në total dhe 46 pasime të sakta nga 53.

Titullarë këtë fundjavë me klubet e tyre ishin edhe Elhan Kastrati, Elseid Hysaj, Adrian Ismajli, Ivan Balliu, Enea Mihaj, Jon Mersinaj, Marash Kumbulla, Naser Aliji, Kristjan Asllani, Qazin Laçi, Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Rey Manaj dhe Mirlind Daku, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Keidi Bare, Nedim Bajrami, Armando Broja, Arbër Hoxha dhe Arbnor Muja.