-Bojkoton Apolonia dhe Elbasani
-Përjashtohen nga Teuta, Marjus Huqi dhe Meriton Abdullaj
DURRES, 16 mars 2013 –Nga Dita e Verës Elbasani kthehet në prologun e garave kombëtare çiklistike për vitin 2013. Ende pa u shuar jehona e festimeve aktive të festës origjinale dhe tradicionale të Verës me 14 mars, vetëm 48 orë pas kësaj në sheshin kryesor të qytetit organizohet nisja e garës çiklistike kushtuar Hysni Idrizit. Është një çiklist ky i viteve 60-70-të, që për kohën renditej ndër më cilësorët e ekipit të 17 Nëntorit. Kërkesës së Federatës Shqiptare të Çiklizmit me president Skënder Anxhakun, iu përgjigjen ekipet e Tiranës, Teutës, Partizanit, Burrelit dhe përfaqësuesja e Kosovës. Organizatorët ishin kujdesur për të realizuar një garë cilësore dhe në kushte optimale. Prandaj edhe u zgjodh segmenti rrugor Elbasan – Durrës me gjatësi 90 kilometra.
Të 35 çiklistët pjesmarrës, treguan grintë dhe karakter gare dhe ndonëse në kushtet e një ere të ftohtë që nuk pushoi gjatë tërë pedalimit, nxitën konkurencën dhe rivalitetin e ndershëm sportiv. Shkëputjet dhe kundërshkëputjet u ndjenë gjatë gjithë garës, ku aktivë tregohen veçanërisht çiklistët e Tiranës, Teutës dhe Kosovës. Në Papër shkëputet çiklisti i talentuar i Teutës Hyrmet Kastrati dhe mbeti i shkëputur nga grupi për 10 kilometra. Por në hyrje të qytetit të Peqinit, tentativa e shkëputjes u shkri së bashku me pedalimin e të gjithë grupit. Më tej janë vënë re edhe dy shkëputje të tjera në Rrogozhinë dhe Kavajë. Jemi lidhur gjatë garës me trajnerin e ekipit kombëtar dhe atë të Teutës, mjeshtrin e çquar të çiklizmit Dashamir Ramën i cili ishte entuziast për mënyrën se si po pedalonin çiklistët. “Po zhvillohet një garë interesante, ku tonin po ja japin çiklistët e rinj që janë me shumicë në të pesë ekipet pjesmarrëse.
Tirana dhe Teuta dy ekipe me traditë në çiklizmin shqiptar, po ndjejnë efektet e punës sistematike të kryer gjatë muajve të fundit.” Por në përfundim të garës ekipi i Tiranës tregohet më kompakt, duke i bërë asaj një mbyllje vërtet emocionuese dhe spektakolare. Vija e mbërritjes ishte planifikuar të bëhej në sektorin Iliria në plazhin e Durrësit, pasi punimet në këtë segment rrugor nuk lejonin kalimin e çiklistëve në qytetin e Durrësit. Në përfundim të kupës Hysni Idrizi vendin e parë e meritoi çiklisti i Tiranës Olsi Avdiaj me kohën 2h28’10”. Çiklisti kosovar Qendrim Gemi u rendit në vendin e dytë me kohën 2h28’11”dhe në të tretin pedalisti i ekipit të Tiranës Denis Telhai me 2 sekonda më shumë nga i pari. Hyrmet Kastrati i Teutës u rendit në vendin e katërt.
Kryegjyqtari i garave Ilmi Gjyzeli, shpreh optimizmin për mënyrën se si manifestuan përgatitjen e tyre çiklistët. “Shumica e pjesmarrësve e përfunduan garën në grup, duke mos u vënë re shkëputje të çiklistëve të veçantë”. Ashtu sikundër edhe ishte bërë e ditur, fituesit e tri vendeve të parë u shpërblyen me 200.000, 150.000 dhe 100.000 lekë nga organizatorët.
Dyshja e trajnerëve të Teutës Dashamir Rama dhe Ruzhdi Xhumrra, pohuan për median edhe vendimin e tyre për përjashtimin nga ekipi të çiklistëve Marjus Huqi dhe Meriton Abdullaj, të cilët bojkotuan pa e deklaruar më parë vendimin e tyre kupën Hysni Idrizi.
Gjithashtu edhe dy ekipet e njohura Apolonia dhe Elbasani, nuk u bënë pjesë e garës së parë të vitit.
Sponsor i kupës Hysni Idrizi ishte deputeti Tahir Muhedini. Do të ishte në nderin e FSHÇ-së,që të organizoj enkas një kupë kushtuar emrit të njohur të çiklizmit Nikollaq Hysi, ndarë nga jeta para katër vitesh. Hysi bëri shumë për çiklizmin durrsak, aq sa gjatë një stërvitje humbi jetën si pasojë i një infarkti të miokardit. Pa më të voglin hezitim. Nikollaq Hysi mund të kosniderohet dëshmor i sportit.
/Bujar Qesja, Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/