Erërat e forta dhe shirat e fuqishme të ciklonit “Ianos” kanë shkaktuar përmbytje duke lënë të paktën dy viktima deri më tani në Greqi.

Pas gjetjes së një gruaje të vdekur në fshatin Vasili të Farsalas ekipet e zjarrfikësve kanë gjetur një tjetër viktimë.

Bëhet fjalë për një fermer 63-vjeçar dhe sipas mediave, viktima është me origjinë nga Shqipëria dhe djali i tij po e kërkonte që prej ditës së djeshme.

63-vjeçari u gjet në Kardhicë prapa spitalit. Ky qytet është edhe një prej zonave më të prekura nga cikloni, ku sipas mediave vendi tashmë ngjan me një liqen.

Ekipet e kërkim-shpëtimit në Greqi po vijojnë punën për gjetjen e një 40-vjeçareje tjetër. Dyshohet se makinën me të cilën ajo po udhëtonte e ka marrë rrjedha e një lumi pranë Kardhicës.