Komisioni Qendror i Zgjedhjeve faktoi dje vjedhjen e votave nga të gjitha partitë që kanë numërues, pa dallim nëse janë në opozitë apo në pushtet.
Njësoj PS, PD dhe LSI, madje edhe PDIU kishin vjedhur vota më 25 Qershor.
Fenomeni pranohej nën zë nga të gjithë, por nga dje doli hapur edhe në KQZ para kamerave të televizioneve.
Por edhe në hajdutëri, ka një renditje dhe matematika nuk të lë të gabosh për “zotësinë” e socialistëve, demokratëve, lësëistëve apo çamëve për të vjedhur.
Kush janë më të zotët për të grabitur?
“Lapsi.al” merr si shembull 57 kutitë, që u hapën dje në KQZ dhe ku u zbuluan vota të vjedhura. Këto do të shërbejnë si njësi matëse për aftësitë vjedhëse të numëruesve-hajdutë.
Partia Socialiste ka vjedhur 85 vota, por e kanë vjedhur me 16 vota. Ka dalë 69 vota fitim.
Partia Demokratike ka vjedhur 77 vota, por e kanë vjedhur me 30 vota. Ka dalë 47 vota fitim.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka vjedhur 80 vota dhe e kanë vjedhur me 6 vota. Ka dalë 74 vota fitim.
PDIU ka vjedhur 52 vota, por e kanë vjedhur me 57 vota. Ka dalë 5 vota me humbje.
Rezultati është i qartë. Fitues për rendimentin më të lartë të vjedhjes së votave dalin numërues-hajdutët e LSI-së.
Në këto zgjedhje LSI vazhdoi të rritej krahasuar me numrin e votave që kishte zgjedhjet e kaluara, shkruan “Lapsi.al”.





