Kreu i Komisionit Qendror të zgjedhjeve, në një deklaratë për mediat foli lidhur me regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit, e cila vijon të jetë e ndarë.

Celibashi sqaroi se përfaqësuesi i PD-së në KQZ, janë Marash Logu dhe Indrit Sefa, teksa tha se ka komunikim edhe me Ivi Kason. Komisioneri tha se për regjistrimin në zgjedhjet e 14 majit, gjithçka do të vendoset në bazë të asaj që ndodh në gjykatë, pasi ‘legjitimitetin e vlerëson Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë’.

“Ka një forcë politike që e ka emrin PD. Deri në momentin që ne flasim është Marash Logu dhe Indrit Sefa. Kemi komunikime edhe me Ivi Kason. Ne do vlerësojmë legjitimitetin që do të sjellë dokumentacion në KQZ. Në kuptimin që është apo ky person me tagrin për të sjellë në emër të PD-së. Sot është përfaqësuesi i PD-së në KQZ, janë përfaqësues Logu dhe Sefa. Do jenë këto në vijim nuk e them dot por autorizimi që ato kanë është në përputhje me kodin zgjedhor. Do vlerësojmë legjitimitetin e atij që paraqet kërkesën dhe ky legjitimitet merret nga Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë. Kjo është një çështje që nuk e vendos KQZ. Këtë nuk e vendos KQZ është një institucion tjetër.”- tha Celibashi.

Ndërkohë, shorti i hedhur sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vendosi se Partia Socialiste do të ketë kryetarin në të gjitha KZAZ-të me numër çift, në atë me numër tek do të drejtojë Partia Demokratike.