Projektligji i ri i propozuar nga Kryeministri britanik Rishi Sunak, që synon të dërgojë në Ruandë emigrantët që mbërrijnë në mënyrë të paligjshme në Britani, do të votohet gjatë një seance me debate të shumta në parlament të martën.

Një muaj pasi Gjykata e Lartë britanike e shpalli të paligjshme këtë politikë, zoti Sunak shpreson se projektligji i ri do të përmbushë zotimin e tij për të frenuar prurjet e njerëzve që kalojnë Kanalin e La Manshit me varka të vogla.

Në vazhdim disa detaje të mëtejshme rreth planit të propozuar dhe çështjes së emigracionit:

PËRSE ËSHTË EMIGRACIONI NJË ÇËSHTJE KAQ E RËNDËSISHME PËR BRITANINË?

Rimarrja nën kontroll e kufijve të vendit dhe frenimi i lëvizjes së lirë të njerëzve ishte një faktor kryesor që solli referendumin në vitin 2016 për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Sipas kompanisë së anketimeve YouGov, emigracioni radhitet aktualisht si çështja e dytë më e rëndësishme në Britani, pas ekonomisë.

Qeveri të njëpasnjëshme konservatore patën premtuar të ulnin nivelin e emigracionit në më pak se 100 mijë në vit, por nuk e përmendën më këtë zotim në vitin 2019.

Në vitin 2022 u arrit një rekord i ri prej 745 mijë personash, pjesërisht për shkak të të ardhurve nga Ukraina dhe Hong Kongu.

Në përgjigje, qeveria e zotit Sunak paraqiti javën e kaluar një seri masash që do ta ulnin këtë shifër me 300 mijë persona më pak.

Ndërkohë në vitin 2022 u arrit edhe një rekord prej 45,775 personash që mbërritën pa lejen e autoriteteve me varka të vogla në brigjet jugore të Anglisë. Deri më tani për vitin 2023, kanë mbërritur pothuajse 29 mijë më shumë.

ÇFARË PËRFAQËSON PLANI I BRITANISË PËR RUANDAN?

Plani me të cilin kishte rënë dakord në prill 2022 kryeministri i atëhershëm Boris Johnson, synonte t’i shkurajonte emigrantët që donin të bënin udhëtimin e rrezikshëm prej gati 32 kilometrash përmes Kanalit të La Manshit me varka të vogla ose gomone.

Sipas atij plani, çdokush që mbërrinte në Britani ilegalisht pas 1 janarit të vitit të kaluar mund të dërgohej në Ruanda, gati 6400 kilometra larg.

Sidoqoftë, fluturimi i parë i deportimit në qershor 2022 u bllokua nga një masë e minutës së fundit nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë vendosi unanimisht të mbajë në fuqi një vendim që e shpallte këtë plan të paligjshëm, për shkak se Ruanda nuk ishte një vend i tretë i sigurtë dhe emigrantët rrezikoheshin të dërgoheshin mbrapsht në vendet e tyre ku mund të keqtrajtohen.

Megjithëse nuk janë bërë deportime, Britania i ka paguar tashmë Ruandës 240 milionë paundë.

PËRSE ËSHTË KAQ I RËNDËSISHËM KY PLAN PËR KRYEMINISTRIN SUNAK?

Pasi u bë kryeministër në tetor të vitit të kaluar, zoti Sunak e bëri “ndalimin e varkave” një nga pesë përparësitë e tij kryesore, por përfaqësuesit e krahut të djathtë të Partisë së tij Konservatore duan që ai të shkojë më tej.

Anketimet tregojnë se konservatorët janë rreth 20 pikë pas Partisë Laburiste të opozitës dhe një ish-ministër i rëndësishëm tha se ata do të përballen me “disfatë zgjedhore” në zgjedhjet që priten vitin e ardhshëm, nëse ai nuk e zbatonte këtë plan.

Britania po shpenzon aktualisht mbi 3 miliardë paundë në vit për përpunimin e kërkesave për azil, me kostot për strehimin e emigrantëve që presin një vendim në hotele dhe objekte të tjera, që shkojnë në rreth 8 milionë paundë në ditë.

Sipas shifrave të qeverisë të muajit gusht, numri i kërkesave për azil në pritje të një vendimi paraprak arriti një rekord prej mbi 134 mijë, ose nëse përfshihen edhe personat në ngarkim, në 175,457. Kryeministri Sunak kishte premtuar se do t’i jepte zgjidhje kësaj situate.

Dërgimi i një azilkërkuesi në vendin afrikan do të kushtonte mesatarisht 169 mijë paundë, ka thënë qeveria.

ÇFARË ËSHTË PROJEKTILIGJI I RI I EMERGJENCËS I PROPOZUAR NGA KRYEMINISTRI SUNAK?

Për të trajtuar çështjet e ngritura nga Gjykata e Lartë, Kryeministri Sunak ka rënë dakord për një traktat të ri me Ruandën dhe ka paraqitur legjislacionin e emergjencës që kërkon të anashkalojë ligjet që do ta parandalonin zbatimin e planit për deportimet.

Propozimi përjashton disa seksione të Ligjit britanik për të Drejtat e Njeriut dhe thotë se vetëm ministrat do të vendosin nëse do të zbatojnë urdhërat e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Megjithatë, kritikët e tij të kahut të djathtë, shumë prej të cilëve duan që Britania të largohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kanë thënë se propozimi nuk shkon aq larg sa të shmangë bllokimin e deportimeve nga gjykatat. Ministri i tij i emigracionit ka dhënë dorëheqjen.

Zoti Sunak tha se Ruanda do të tërhiqej nga plani nëse projektligji do të konsiderohej si shkelje e ligjeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Konservatorët e qendrës janë gjithashtu të shqetësuar se ligji shkon shumë larg.

A DO TË MIROHET LIGJI PËR EMERGJENCAT?

“Projektligji për Sigurinë e Ruandës” përballet me një votim të ashpër të martën në Dhomën e Komunave, ku konservatorët e zotit Sunak aktualisht kanë një shumicë prej 56 votash.

Në teori kjo do të thotë se nëse 29 deputetë rebelohen, ose 56 abstenojnë, qeveria do ta humbasë votimin, megjithëse propozimi mund të kalojë edhe me mbështetjen e të pavarurve ose ligjvënësve të Irlandës së Veriut.

Humbja do ta vinte në rrezik edhe vetë postin e kryeministrit Sunak.

Edhe nëse ai është në gjendje të fitojë votat e nevojshme – e marta është vetëm raundi i parë – legjislacioni mund të pengohet nga dhoma e sipërme, Dhoma e Lordëve, duke e penguar propozimin të bëhet ligj përpara zgjedhjeve.

SI KRAHASOHET BRITANIA ME VENDET E TJERA PËR SA I PËRKET EMIGRACIONIT?

Australia ishte vendi i parë që propozoi konceptin e mbajtjes së azilkërkuesve në qendrat e paraburgimit në det të hapur. Danimarka ka nënshkruar një marrëveshje të ngjashme me Ruandën, por ende nuk ka dërguar ndonjë emigrant atje.

Izraeli anuloi një marrëveshje të ngjashme me Ruandën në vitin 2018 pas pesë vjetësh, pasi Gjykata e Lartë e Izraelit e shpalli atë të paligjshme, për shkak se Ruanda nuk kishte respektuar garancitë që kishte dhënë.

Disa vende të BE-së po forcojnë gjithashtu kontrollet e tyre kufitare. Italia ka njoftuar së fundmi planet për të ndërtuar qendra pritjeje në Shqipëri për emigrantët që vijnë nga deti.

Sipas Bibliotekës së Dhomës së Komunave, e cila ofron burime kërkimore për ligjvënësit britanikë, pati rreth 13 kërkesa për azil për çdo 10 mijë persona që jetonin në Britani në vitin 2022, krahasuar me 22 aplikime për çdo 10 mijë persona në vendet e Bashkimit Evropian. /VOA