Në ndryshim nga zgjedhjet e 25 prillit 2021, ku votuesit e dy njësive administrative të bashkisë Durrës (Sukthi dhe Katundi i Ri) votuan në favor të Partisë Demokratike, në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit trendi ndryshoi.
Sukthi dhe Katundi i Ri iu bashkuan 3 ish-komunave të tjera Rrashbull, Ishëm dhe Manëz duke votuar masivisht për kandidaten e PS, Emiriana Sako. Ishte pikërisht 6 marsi i këtij viti, që PD (Basha-Berisha) humbi bastionin e saj historik, Katundin e Ri.
Në NJA Katund i Ri, Sako ka marrë 53.2% të votave, ndërsa në Sukth përqindja e votave është edhe më e lartë, gati 60%.
Madje, në qendrën e votimit nr.1358/1 në Sukth, kryebashkiakja e Durrësit ka marrë 84% të votave.
Nga të gjitha qendrat e votimit të këtyre dy njësi administrative, vetëm në njërën prej tyre kandidatja e PS është renditur forcë e tretë.
Bëhet fjalë për qendrën e votimit nr.1516, në Katundin e Ri, ku Sako ka marrë 26.37% të votave, krejt ndryshe nga çfarë ka ndodhur në shumicën dërrmuese të QV-ve të tjera. I pari në këtë qendër është renditur kandidati i koalicionit “Shtëpia e lirisë”, Ardian Muka, me 40.11% të votave dhe i dyti kandidati i PD, Luan Hoti.
Nga një vëzhgim i hollësishëm që “DurrësLajm” i bëri rezultateve të publikuara nga KQZ në qendrat e votimit të qytetit të Durrësit rezulton se në 12 prej tyre kryebashkiakja Emiriana Sako është renditur pas urbanistit Muka.
Nga 228 qendrat e votimit në qytetin e Durrësit, kandidati Muka ka fituar mbi dy rivalët e tij politikë vetëm në QV-të e mëposhtme, ndërsa kandidati tjetër i djathtë Luan Hoti është renditur gjithnjë i treti.
Qendrat e votimit në të cilat Muka renditet i pari për votat e marra janë kryesisht në zonën e ish-Kënetës, në qendër të Durrësit, tek shkolla “Jusuf Puka”, tek shkolla “Nënë Tereza”, lagjja nr.17 etj.
Në përfundim të procesit të numërimit të votave në 337 QV-të e bashkisë Durrës, Emiriana Sako fitoi mandatin e kryebashkiakes pasi mblodhi 58.47% të votave, duke lënë pas urbanistin Ardian Muka me 29.68% dhe juristin Luan Hoti me 11.85%.
Ndërkohë mbi 1800 vota dolën të pavlefshme, por krahasuar me zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kur u regjistruan mbi 3000 fletë votimi të pavlefshme, “rekordi” nuk arriti të thyhej.
QV-të e Durrësit ku ka fituar kandidati Ardian Muka
1420
1420/2
1420/3
1420/4
1420/5
1467/1
1468/3
1469/1
1469/2
1462
1478
1478/1
QV e Katundit të Ri ku kandidati Muka ka fituar
1516
1517
1524
1525
QV-të e Sukthit ku kandidati Muka ka fituar
1357
1357/1
1366
1366/1
1368
M.B.