Paratë mund të mos blejnë lumturinë, por një analizë e re e shteteve më të lumtura dhe më të palumtura në Amerikë sugjeron se mungesa e parave mund të kontribuojë në gjendjen shpirtërore të një personi.

“Me rritjen e pasurisë nuk rritet lumturia e një njeriut, por përjetimi i varfërisë sigurisht që të bën të pakënaqur”, thotë Miriam Liss, profesore e psikologjisë në Universitetin Mary Washington në Fredericksburg të Virxhinias.

Pasiguria financiare i vështirëson përpjekjet për të siguruar nevojat bazë për strehim, ushqim, veshje, siguri, kujdes shëndetësor dhe transport, duke shkaktuar pakënaqësi, shton ajo.

Për të vlerësuar nivelet e lumturisë në të 50 shtetet, kompania e financave personale WalletHub shqyrtoi tre faktorë kryesorë: mirëqenien emocionale dhe fizike, mjedisin e punës, komunitetin dhe mjedisin. Juta, Havai, Merilendi, Minesota dhe Nju Xhërsi janë shtetet më të lumtura, sipas analizës së kompanisë WalletHub.
Profesorja Liss mendon se është e kuptueshme që Juta renditet si shteti më i lumtur, ku rreth 60 për qind e popullsisë së saj janë të besimit mormon.

“Unë nuk jam e befasuar nga kjo, sepse mendoj se ka një lidhje midis përkatësisë fetare dhe lumturisë”, thotë profesorja Liss. “Dhe kjo është kryesisht për shkak të komunitetit dhe lidhjes që njerëzit përjetojnë nëse ndihen të pranuar dhe të dashur nga komuniteti që i rrethon.”

Kompania WalletHub thotë se shtetet më të palumtura janë Arkansasi, Kentaki, Luiziana, Tenesi dhe Virxhinia Perëndimore.

“Kjo nuk me befason sepse këto janë shtete të varfra”, thotë profesorja Liss. Ajo shton se për të qenë i lumtur, një person duhet të ketë një ndjenjë autonomie, të ndihet i aftë dhe të ketë marrëdhënie të mira dhe domethënëse me të tjerët.

“Duhet të kesh para të mjaftueshme për të qenë i sigurt dhe në gjendje për të përmbushur nevojat themelore për strehim dhe siguri”, thotë profesorja Liss. “Por gjithashtu ke nevojat psikologjike të kohës për të ndërtuar marrëdhënie, dhe të kesh aftësinë për të kryer detyrimet në një vend pune kuptimplotë dhe jo të punosh në një vend që e urren vetëm për të qenë në gjendje të paguash faturat – dhe të kesh aftësinë për të pasur njëfarë autonomie dhe fleksibiliteti mbi mënyrën se si e kalon ditën”.
Analiza zbuloi se vetëm gjysma e amerikanëve ndihen “shumë të kënaqur” me jetën e tyre personale. Zonja Liss thotë se ka një faktor gjenetik të lumturisë që njerëzit nuk mund ta ndryshojnë, por se pjesa më e madhe e lumturisë, rreth 40 përqind, ndikohet nga përfshirja në ato që ajo i quan aktivitete “përmbushëse”.

“Nëse jemi në gjendje të shijojmë momentin dhe të përjetojmë kënaqësi kur hamë, nëse arrijmë të shijojmë momentin kur jemi në një vend të bukur, kjo rrit kujdesin ndaj vetvetes,” thotë ajo. “Të jesh mirënjohjes është një aktivitet vërtet i fuqishëm, i qëllimshëm që ka disa efekte vërtet të forta. … Lidhja me komunitetin dhe mirësia shkojnë dorë për dore, të ofrosh vullnetarizëm, të kryesh vepra që janë në shërbim të tjerëve. Këto janë të gjitha gjërat që mund të rrisin lumturinë tuaj.”

Të shkosh për të jetuar në një nga shtetet më të lumtura nuk do t’ju bëjë automatikisht të lumtur, thotë ajo, nëse nuk plotësohen nevojat tuaja më kritike.

“Jeto diku ku mund të përballosh stilin e jetesës, sepse nëse nuk mundesh, kjo kufizon vërtet autonominë tuaj”, profesorja thotë Liss.

“Ju gjithashtu dëshironi të jetoni në një vend ku keni një punë domethënëse që ju lejon të ndjeni kompetencë dhe aftësi. … Por unë gjithashtu mendoj se është vërtet e rëndësishme të jetosh diku ku mund të zhvillosh lidhje dhe marrëdhënie të vërteta dhe domethënëse me njerëzit e tjerë.”/VOA