Ndryshimet klimaterike janë një fenomen që gjithnjë e më shumë po prekin vende të ndryshme dhe po detyrojnë qeveritë të hartojnë strategji afatmesme dhe afatgjata për t’u përshtatur me këto ndryshime dhe për të ngritur mekanizmat e nevojshëm për parandalimin e pasojave negative.

Ditën e sotme, në një takim ku merrnin pjesë përfaqësues nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkia Durrës dhe UNDP u prezantua Draft Plani Lokal i Përshtatjes (NAP) ndaj ndryshimeve klimatike si dhe u diskutuan  masat përshtatëse ndaj këtyre fenomeneve natyrore.

Sipas Laureta Dibrës, menaxhere e Projektit NAP, Durrësi është ndër bashkitë e Shqipërisë më të ekspozuara ndaj ndryshimeve klimaterike.

“Deri në vitin 2050, por edhe më gjerë, në 2100, janë parashikuar ngjarje ekstreme të motit, që lidhen me valët e të nxehtit, por edhe me shirat e rrëmbyeshëm, me frekuencë shumë më të lartë, të cilat çojnë në probleme të erozionit tokësor apo detar, përmbytje etj duke cënuar sigurinë dhe jetën e qytetarëve. Për këtë arsye ne kemi bërë vlerësimin e riskut dhe kemi parë zonat më të nxehta, të cilat janë të impaktuara nga ndryshimet e klimës. Zonat më të prekura nga erozioni dhe përmbytjet janë Kepi i Rodonit, Bishti i Pallës, Rrushkulli, Manza dhe Ishmi.”

Qyteti 3000-vjeçar, në një studim të Bankës Botërore, përcaktohej si qyteti më i nxehtë i Ballkanit deri më 2040, si pasojë e ndryshimeve klimaterike që parashikohet se do të ndodhin në 15 vitet e ardhshme. Marrja e masave për të frenuar këto fenomene negative mbetet prioritet i autoriteteve vendore dhe qendrore. Në takim, pjesëmarrësit diskutuan mbi vlerësimin e rrezikut dhe cënueshmërisë në nivel lokal, sidomos në fushat prioritare si bujqësi, turizëm, transport, energji, zhvillim urban, si dhe emergjencat civile.

M.B.