Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u mundësuan krerëve të partive politike të garonin për deputet në më shumë se një qark.
Kryeministri Edi Rama zgjodhi Durrësin dhe Vlorën, ku PS arriti objektivin duke fituar, nga 8 mandate, ndërsa kryeministri mori edhe votën preferenciale në dy qarqet. Në Durrës, ai mblodhi më shume vota sesa në Vlorë.
Kreu i qeverisë duket më i preferuar në Durrës ku ka marrë 15871 vota, ndërsa në Vlorë 11412.
Nëse Rama zgjedh të jetë deputet i Durrësit, atëherë automatikisht mandatin e tij në Vlorë, e merr kandidatja e renditur pas tij në listë, Teuta Ramaj, që ka grumbulluar 1738 vota preferenciale.
Nëse Rama preferon të mbetet ligjvënës në Vlorë, atëherë mandati i deputetes në Durrës i shkon kandidates nr.9 në të qark Ana Dhamo.
Kush janë Teuta Ramaj dhe Ana Dhamo?
Teuta Ramaj ka lindur në Vlorë më 25/12/1982. Në vitin 2014 ka kryer studimet në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë (departamenti i mësuesisë) Master i Shkencave në Mësimdhënie e Gjuhës Shqipe dhe Letërsi. Ramaj në këtë fushatë elektorale iu bashkua ekipit socialist, si kandidatja e komunitetit çam me numrin nëntë nën siglën e PS.
Ana Dhamo ka lindur në Durrës, më 2 shtator 1985. Znj. Dhamo është Doktore Shkencash në profilin e Drejtë Publike. Në maj të vitit 2012 ajo ka përfunduar Shkollën e Specializimit për Profesionet Ligjore pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Urbinos.