DURRËS, 4 shtator 2014 – Mes 34 tregtuesve të karburantit të gjobitur në gusht 2014, janë dhe tri filiale të shoqërive nga Shkodra, Lezha dhe Kruja, që ushtrojnë veprimtari në Durrës, kryesisht në Porto Romano.
Inspektorati Qendror Teknik ka bërë publike rezultatet e kontrolleve tё ushtruara gjatë muajit gusht 2014 nga Drejtoria e Inspektimit të Naftës dhe Gazit.
Për këtë muaj figurojnë të ndëshkuara 34 subjekte, të cilat janë konstatuar me probleme gjatë inspektimit, probleme që konsistojnë në mungesë dokumentacioni teknik-ligjor të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi, mungesë rezerve sigurie apo tregues larg nivelit të detyrueshëm për pikën e flakërimit apo përqindjen e squfurit (shih faksimilet e listës poshtë ose kliko në http://iqt.gov.al/al/wp-content/uploads/2014/09/Lista-e-gjobave-per-publikim-GUSHT-2014.pdf).
Për këto subjekte gjobat e vendosura nga Inspektorati Qendror Teknik variojnë nga 100 000 lekë deri në 57 186 979 lekë.
Inspektorati Qendror Teknik garanton opinionin publik dhe konsumatorin shqiptar se është i vendosur për të garantuar cilësinë në naftën dhe gazin e tregtuar në vend.
Mes 34 subjekteve të penalizuara, janë dhe tri filiale të shoqërive tregtare nga Shkodra, Lezha dhe Kruja, që ushtrojnë veprimtari në Durrës, kryesisht në Porto Romano.
NIVELI I SQUFURIT 27,7 HERË MBI NORMËN
Ndonëse “kompania Genklaudis prej 18 vitesh ka sjellë në Shqipëri vlerat më të mira të tregut në fushën e karburanteve duke u shndërruar në një nga kompanitë më të suksesshme të tregut me shumicë dhe pakicë”, sikurse shkruhet në uebin e shoqërisë (e cila është regjistruar në QKR më 11 korrik 2007 me seli në Bërdicë të Shkodrës), është kapur me shkelje të rënda në pikën e saj në Vrrin të Rrashbullit Durrës.
Genklaudis sha, që ka dy adresa në Durrës (zona industriale dhe energjetike, Porto Romano dhe Vrrin) është kontrolluar më 20 gusht 2014.
Inspektorët kanë zbuluar tregues larg nivelit tё detyrueshёm pёr pikёn e flakёrimit apo pёrqindjen e squfurit: me pikë flakërimi 55 nga 51,5 norma dhe përqindje squfuri 277 nga 10 norma.
Kësaj shoqërie grosiste dhe pakice karburantesh iu vu një gjobë prej 300 mijë lekë.
Është për t’u theksuar fakti që Genklaudis sha nga Bërdica e Shkodrës ka fituar dhe disa tenderë të institucioneve të larta shtetërore (për shembull në tetor 2013, kontratë me drejtorinë e përgjithshme të Metrologjisë), ku nuk dihet nëse cilësia e furnizimeve është brenda normave apo sipas konstatimit të datës 20 gusht 2014, ku përqindja e squfurit rezultoi 27,7 herë më e lartë se norma!
Ndërsa më 2 shtator 2014 në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit është depozituar urdhri Nr. 1288 prot., nr. 672/4Regj., datë 26.8.2014, lëshuar nga përmbaruesja gjyqësore private Joana Konomi për vënien e masës së sekuestros konservative në aksionet e dorëzanësit shoqeria “GENKLAUDIS” sh.a me NIPT K76911001E.
GJOBA “E NXEHTË” REKORD E GUSHTIT
Me gjobën “e nxehtë” rekord të gushtit prej 57 186 979 lekë (rreth 414 mijë euro) është ndëshkuar shoqëria Europetrol Durres Albania Sh.a për mungesё tё rezervёs sё sigurisё.
Shoqëria aksionare, e krijuar në vitin 2002, me seli zyrtare në qytetin e Krujës dhe depozita në Porto Romano.
“Elda” zotëron rreth 35 000 M/T kapacitete depozituese, nga të cilat rreth 30 000 janë ndërtuar në vitin 2009 në portin e nënprodukteve në Porto Romano me mundësi për t’u zgjeruar deri në 70.000 tonë; në to mund të depozitohen tre lloje nënproduktesh: gazolinë dizel, fuel, bitumen; zotëron një rrjet shpërndarjeje në të gjithë territorin e vendit dhe në Kosovë.
“Shqipëria forcon ARMO-n, importuesit e naftës janë shtrydhur”, ky është titulli i nja kabllogrami të ambasadës amerikane në Tiranë në vitin 2011, bërë publik nga Uikiliksi-i, duke treguar atë çfarë po ndodhte në tregun e naftës në vend pas privatizimit të ARMO-s nga biznesmeni Rezart Taçi. Dokumenti bazohet në ankimin e biznesmenit të naftës Frident Kuqi, dhe në komentin e saj në fund të raportimit thotë se monopoli që Armo po merr në tregun e naftës me bekimin e qeverisë sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave, mund të nxjerrë jashtë loje biznesmenët e tjerë të kësaj fushe, duke mos lejuar shitjen e naftës së importuar D2, por vetëm D2 që prodhonte Taçi.
Më tej ambasada shkruan se : “[Frident] Kuqi i ka shkruar kryeministrit [Sali Berisha] dhe ministrit të Ekonomisë [Genc] Ruli disa letra, por ai është i frikësuar se ndonjë veprim më i fuqishëm do të vinte si hakmarrje. Nga ana tjetër ai nuk është i qartë se çfarë efekti konkret mund të ketë një monopol në ekonominë shqiptare”.
LEZHJANI QË BLEU AKSIONET E “KASTRATIT”
Edhe filiali i Porto Romanos i kompanisë grosiste Europrogres Sh.a. me seli në Lezhë u gjobit me 550 488 lekë për mungesё tё rezervёs sё sigurisё.
Shoqëria Europrogres Sh.a u krijua në vitin 2002, por me vendimin Nr. 2 datë 28.10.2005 mbledhja e jashtëzakonshme e aksionarëve vendosi miratimin e shitjes se aksioneve nga aksionari shoqëria tregtare Kastrati shpk, në tërësinë e aksioneve në masën 50 për qind të kapitalit themeltar në favor të Fran Uldedajt, i cili bëhet aksionar i vetëm i shoqërisë Europrogres sh.a.
Ndërkaq Europrogres-i është në listën e falimentimeve të 117 subjekteve VIP të drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





