Në Maqedoninë e Veriut u hap zyrtarisht fushata për zgjedhjet presidenciale. Në 20 ditët e ardhshme, qytetarët do të ballafaqohen me programe, premtime, debate e kritika nga 7 kandidatët.

Çfarë presidenti i duhet Maqedonisë së Veriut? Kjo është pyetja kryesore në këtë fushatë zgjedhore. Në mesin e kandidatëve ka premtime të ndryshme, slogane e forma të ndryshmë për ta tërhequr votuesin. Disa premtojnë hyrje në BE, disa dëshirojnë ta bëjnë RMV-në krenare, t’i kthejnë dinjitetin, disa premtojnë luftë ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit.

Kandidatja Gordana Siljanovska

Fushata e kandidates për presidente nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE Gordana Siljanovska Davkova është bazuar në premtimet për kthimin e krenarisë maqedonase. “Mund të ndryshoni gjithçka, por mëmëdheun asnjëherë. Jo rastësisht jemi lindur në Maqedoni, këtu buron energjia për ta bërë vendin më të fortë më të dashur dhe më konkurrues. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë respekt në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Siljanovska Davkova. Ajo ka premtuar se do të angazhohet për pajtim dhe unitet, si dhe për aleanca të reja, pa saktësuar se cilat janë ato.

“Ne kemi parë se ku na çuan ndarjet. Ato e bënë këtë shtet që t’i ngjajë një arene gladiatorësh. Të tjerët nuk janë armiku ynë, por partnerë, për çfarëdolloj çështjeje”, ka vlerësuar Silkjanovska Davkova.

Pendarovski: Qytetari di kë të votojë

Kandidati Stevo Pendarovski, presidenti aktual

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski që garon me mbështetjen e Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, ka thënë se nëse e merr sërish mandatin e presidentit do të vazhdojë t’i trajtojë të gjithë qytetarët njëlloj pa marë parasysh se çfarë kombi apo feje janë ata.

“Në javët e ardhshme qytetarët do të gjenden para dilemave të njëjta sikur edhe shumë vite më parë, që t’ua japin besimin pseudo-patriotëve apo atyre që treguan se munden ta pozicionojnë Maqedoninë e Veriut në vendin e duhur. Atyre që dinë t’i mbrojnë interesat shtetërore në botë, atje ku të mëdhenjtë diktojnë rregullat”, ka deklaruar Stevo Pendarovski.

Bujar Osmani, kandidat për president i mbështetur nga Fronti Evropian, në tubimin e promovimit ka thënë, se integrimi evropian është “shtylla” kryesore e programit të tij. “Jam shumë i qartë në perspektivat e reja se ku duhet të fokusohemi për t’i hequr barrierat që na mbajnë ende jashtë rrugës së progresit dhe zhvillimit që ofron shekulli XXI. Përkushtimi im për këto është dhe do të jetë i pathyeshëm. Njerëzit tanë, fëmijët tanë e meritojmë të ardhmen evropiane. Ne ua kemi borxh që ta ndërtojmë atë dhe ju premtoj se do ta ndërtojmë”, është shprehur Osmani.

Kandidati i Frontit Evropian, Bujar Osmani

Kandidati i opozitës shqiptare Arben Taravari në prezantimin e  programit presidencial, ka thënë se prioritet i tij është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në të, që është kriteri për integrimin e vendit në BE.

Integrimi në BE është synimi ynë i padiskutueshëm. Do të kërkojmë garanci nga përfaqësuesi i lartë i BE-së se pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të këtë kërkesa shtesë për Maqedoninë e Veriut përtej kornizës negociuese të vitit 2022. Mandati për formimin e qeverisë do t’i besohet partisë apo partive që dëshmojnë se kanë shumicën në Kuvend duke kërkuar nga mandatari plan për realizimin e ndryshimeve kushtetuese”, ka thënë Taravari.

Kandidati i opozitës shqiptare, Arben Taravari

Kandidatja për presidente nga e Majta Biljana Vankovska ka premtuar, se fushata e saj do të jetë krejtësisht e kundërt nga oponentët e saj. Ajo premton kthimin e dinjitetit maqedonas.

Kandidatja e majtë, Biljana Vankovska

Kandidati Maksim Dimitrievski fushatën e ka filluar në mënyrë simbolike nga Krusheva, ku premtoi se zëri dhe energjia e tij do të fokusohen në përforcimin  e mbrojtjes, sigurisë, institucioneve dhe qytetarëve në përgjithësi.

Kandidati i GROM Stefçe Jakimovski ka premtuar, se nëse fiton në garë presidenciale asnjëherë nuk do të bëjë ndarjen e qytetarit në bazë etnike apo fetare.

Kandidat i GROM, Stevco Jakimovski

Në raundin e parë president mund të zgjidhet kandidati që fiton mbi 50% të votave nga numri i përgjithshëm i trupit votues, që arrin 1.8 milion zgjedhës.

/DW