Personi i veshur me rrobat e ushtrisë greke, është 35-vjeçari Kostandinos Kaçifa i cili qëlloi me breshëri kallashnikovi makinën e policisë së Gjirokastrës paraditën e kësaj të diele. Mësohet se minoritari 35-vjeçar jeton në Athinë dhe prej 1 jave ka shkuar në fshatin e tij në Bularat të Dropullit.
Policia ishte dislokuar në fshatin Bularat pasi zhvillohej festa në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke. Por, autori sapo pa uniformat blu fillimisht qëlloi me armë në ajër, më pas në drejtim të makinës së policisë. Fatmirësisht, asnjë efektiv nuk u lëndua, por u thye vetëm xhami i automjetit. Konstandinos Kaçifas u largua në thellësi të fshatit dhe sërish hapi zjarr ndaj policisë pasi u vunë në ndjekje të tij. Aktualisht ai është i shpallur në kërkim.
Në Bularat kanë shkuar forcat RENEA duke patrulluar nga terreni dhe duke kërkuar nga ajri me helikopter për të gjetur autorin, i cili dyshohet se është i pajisur edhe me 3 karikatorë të tjerë kallashnikovi. Konstandinos Kaçifa dyshohet se ka qenë i dehur kur qëlloi me armë. Ai njihet edhe si person që vuan nga depresioni, ndërsa mësohet gjithashtu se është i divorcuar.





