28 korrik 2015 – I vetmi deputet i Shqipërisë i dënuar për trafik të qenieve njerëzore, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion është Arben Ndoka. Dosja e deputetit socialist të Lezhës u publikua më 12 korrik të vitit 2014 nga Partia Demokratike. Ai rezulton i dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg nga gjykata e Romës. Edhe pas publikimit të këtij skandali që i tregonte botë se në Parlamentin e Shqipërisë kishte hyrë një i dënuar për favorizim prostitucioni, nga Partia Socialiste nuk pati asnjë reagim. Vetë deputeti, që fillimisht kërcënoi edhe zëdhënësen e PD, Laura Vorpsin (pasi kishte goditur në parlament edhe deputetin e PD Gent Strazimirin) tha se kishte qenë një gabim rinie. Kryeministri Rama, që po përballej me një kërkesë gjithnjë e më të fortë të opozitës për të larguar personat me të shkuar kriminale nga jeta politike dhe institucionet, e amnistoi Arben Ndokën. Ai tha se i kishte kërkuar dëshminë e penalitetit Ndokës, si çdo deputeti tjetër, përpara se ta fuste emrin e tij në listën e deputetëve dhe rezultonte i padënuar. Kur mori vesh që ishte i dënuar, tha se ai e kishte shlyer dënimin dhe se tani ishte qytetar i lirë. Rama u shfaq me Ndokën edhe në fushatën e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.
Por 1 vit nga publikimi i dosjes, Edi Ramës i duhet të përballet me një prej reagimeve më të forta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me mbajtjen afër të deputetit të dënuar për trafik me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që me ardhjen e ambasadorit Lu e kanë shpallur prioritet të tyrin kryesor dekriminalizimin e politikës shqiptare. Nisur nga fakti se njerëz të botës së krimit kanë depërtuar deri në Kuvendin e Shqipërisë, se shumë prej tyre kanë pushtet të madh financiar dhe se mbi shoqërinë shqiptare rëndon pesha e frikës për të denoncuar konkretisht individë me të shkuar dhe të tashme kriminale, SHBA po luajnë një rol vendimtar në çlirimin e shoqërisë nga kjo frikë. Në këtë kuadër duhet parë edhe deklarata e fundit e Departamentit të Shtetit që flet troç për një deputet shqiptar që rezulton i dënuar për trafik të qënieve njerëzore dhe ndërkohë bën ligje për qytetarët shqiptarë. Aq shqetësues është ky fakt sa të nesërmen e raportit të DASH, edhe ambasada e përforcoi këtë fakt duke e cilësuar si "të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve. Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarte të larta etike, jo kriminelë". /Lapsi.al/