Në atë kohë, sapo kishte nisur operacioni “Fundi i Marrëzisë” dhe policia kishte bllokuar makineri e automate të lojërave të fatit, gjë që e dëmtonte biznesin e Ervis Martinajt, ashtu sikurse edhe rezultoi më vonë.
Më 20 tetor të vitit 2013, në kulmin e operacionit “Fundi i Marrëzisë”, kundër lojërave të paligjshme të fatit, Ervis Martinaj kërcënon shefin e repartit special “Shqiponja” në drejtorinë e policisë së Tiranës, Engjëllush Avdulaj, se do ta vrasë.
Sapo reparti “Shqiponja” dhe komisariati numër 3 i Tiranës kishin sekuestruar rreth 400 makineri lojërash fati dhe 25 makina luksoze në një magazinë të Ervis Martinajt ai e merr në telefon shefin e këtij reparti, komisar Engjëllush Avdulajn dhe e kërcënon se do ta eliminojë.
Komisari Avdulaj ka bërë kallëzim penal për këtë rast.
Ai e ka denoncuar Ervis Martinaj për kanosje me jetë për shkak të detyrës në komisariatin numër 2.
Pas kallëzimit penal nisi procedim penal në gjendje të lirë për Ervis Martinaj.