Kryeministri Edi Rama në një intervistë për prestigjozen italiane “La Republica” ka folur dhe njëherë për marrëveshjen e nënshkruar mes tij dhe kryeministres së Italisë Georgia meloni, për ngritjen e një kampi emigrantësh në Shqipëri.

I pyetur nga gazetari italian se cili është interesi i Shqipërisë dhe se çfarë përfiton vendi jonë në këtë marrëveshje, Rama iu përgjigj po me pyetje, duke thënë “Cili ishte interesi i Italisë kur strehoi shqiptarët?

Pyetje: Cili është interesi i Shqipërisë në këtë pakt?

Edi Rama: Unë përgjigjem me një pyetje retorike. Kush ishte interesi i Italisë që të na pranonte ne në momentin kur ne ia mbathnim nga ferri kur ra regjimi komunist? Ku ishte interesi i Italisë, që ka qenë një ndihmë e madhe këtu në Shqipëri?

Ose kur çoi skuadrën e saj për të shpëtuar jetë kur ndodhi tërmeti i para disa viteve këtu?

Për ne, Italia është speciale, nuk ka një interes direkt, nga pikëpamja materiale, nuk përfitojmë asgjë, ne i japim disponibilitetin territorial dhe Italia merret me gjithë procedurat operacionale”, u shpreh ai.

Rama theksoi se kërkesa për të pritur emigrantët i është bërë edhe nga vende të tjera të Bashkimit Evropian, por Shqipëria i ka refuzuar ato gjithnjë.

Edi Rama: Gjatë këtyre viteve ne kemi patur kërkesa të tilla edhe nga vende të tjera europiane, por kemi thënë gjithmonë jo.

Gazetari: Nga Franca, Spanja, Gjermania?

Edi Rama: Nuk po përmend asnjë, sepse nuk do ishte e drejtë.