Ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë se aksioni i opozitës do të vijojë dhe se në mënyrë të pashmangshme do të shkohet drejt një proteste popullore masive.

Në një deklaratë për mediat, Berisha refuozoi të zbulonte skenarin e opozitës për seancën e radhës plenare,  pasi “armiku do të marrë masa”, duke iu referuar mazhorancës.

Sipas tij opozita do të dëgjohet fuqishëm nga shqiptarët dhe mbarë bota në lëvizjen e saj.

“Po shkohet drejt një situate që bëhet gjithnjë e më dramatike. Një situate në të cilën qytetarët janë të ftuar të ngrihen në gjithë guximin e tyre për të përmbysur këtë regjim që nuk njeh ligj e rregull.

U vendos, protesta vazhdon, ju e keni parë fuqinë e saj në parlament. Ju garantoj se shkohet në mënyrë të pashmangshme drejt protestës masive popullore. Nëse e themi skenarin sot për të enjten armiku do marrë masa, ata masat që do marrin, do dyfishojnë gardën, do marrin 200 në vend të 100. Ne do të dëgjohemi fuqishëm nga shqiptarët dhe mbarë bota”, u shpreh ai.