PROF. FREDERIK STAMATI*

Dikur, ndoshta në vitin 1950, u gjet e fshehur në një nga kullat e shtëpisë së vjetër të familjes Baruni, që është një nga familjet autoktone dhe më të hershme në Krujë, një shpatë me dorezë të argjend, në të cilën shkruhej diçka në gjuhën arabe. Ajo ishte shpata e Gaj Barunit. Gaj Baruni ka qenë një komandant në ushtrinë e Skënderbeut. Si u trashëgua kjo e dhënë për pesëqind vjet, e pandryshuar, në një kohë qe nuk ka pasur dokumente familjare? Kujtesa dhe transmetimi i historive ekzaltuese, e për të cilat mund të krenohesh, nga një shekull në tjetrin, janë i vetmi burim besimi. Kujtesa e përcjellë në breza thotë se pas pushtimit të Krujës nga turqit, Gaj Baruni ndërroi fenë dhe u kthye në mysliman, si e vetmja mundësi për të shpëtuar nga prerja e kokës. Ai mori emrin Daut. Pastaj, më vonë, ai braktisi ushtrinë pushtuese dhe u bashkua me kryengritësit shqiptarë. Erdhi një ditë që turqit e kapën dhe e vranë në vend. Duke kërkuar në botimet e Barletit dhe Biemit, si dy nga burimet më të rëndësishme të luftërave të asaj kohe, nuk e gjejmë të përmendur emrin e Gaj Barunit. Mirëpo kjo nuk do të thotë gjë, sepse këta dy historianë nuk kishin se si të përmendnin emrat e të gjithë atyre që luftuan përkrah Skënderbeut. Ndoshta mund të vijë një ditë që në dokumente të kohës të gjendet edhe ky emër.

Ata që e kishin shpatën në shtëpi dhe konkretisht, Rush Baruni, në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, ia dhanë një personi të besuar për ta çuar në Tiranë për përkthim, apo për ta dorëzuar atje. Kjo nuk sqarohet mirë. Të gjithë këtë veprim e karakterizoi mirëbesimi. Mirëpo nuk dihet nëse u dorëzua shpata, në cilin institucion, apo në duart e cilit person, për të vazhduar më tej veprën e nisur. Nuk mbahet mend mire as emri i personit, që u ngarkua për të bërë këtë punë. Ndoshta quhej Muharrem. Disa vjet më parë Rush Baruni vdiq dhe sot nuk ke kë të pyesësh për të ndjekur të vërtetën. Koha krijoi një mister…

E kam kërkuar këtë shpatë. E kam kërkuar heshturazi, pa bujë. E kam kërkuar në fondin etnografik të ish-Institutit të Kulturës Popullore, e kam kërkuar me këmbëngulje në të gjithë muzetë e Shqipërisë. Nuk kam dashur të flas kurrë, pa pasur sigurinë absolute të një vëzhgimi të kujdesshëm dhe tërësor…

Tani mund të them prerazi: shpata e Gaj Barunit nuk ndodhet në muzetë e Shqipërisë!

Duke analizuar transferimet e shpatave nga njeri muze në tjetrin, si edhe shpërdorimet dhe vjedhjet e ndodhura pas vitit 1991, rezulton se janë të gjitha mundësitë që shpata e Gaj Barunit të mos jetë dorëzuar kurrë…

Atëherë, cili je ti që e ke shpatën e Gaj Barunit? Ajo është historike, shumë e rëndësishme, duhet ta dorëzosh! Mos ki frikë nga dënimi! Gjesti yt do të jetë aq i lartë, saqë, me siguri, nuk do të kesh asnjë pasojë. Ose gjej një mënyrë tjetër, ashtu siç e mendon ti, dhe dorëzoje!

* Status në llogarinë në rrjetin social FB të autorit, më 30 gusht 2015.