Erion Braçe tregoi gjithçka mbi jetën e tij përtej politikës teksa ishte i ftuar në episodin e tretë të “Pop Culture”. Ndër të tjera, ai ndau me moderatoren Dojna Mema një ndër momentet më të sikletshme në adoleshencë, kur është dridhur i tëri.
Pyetja që provokoi këtë rrëfim ishte e thjeshtë: A dëgjon muzikë klasike, meqënëse ai ka një të kaluar si violinist?
Bashkëngjitur me pyetjen, Dojna shtoi edhe një përjetim të sajin. “Mbaj mend kur jepja provimet e pianos, që ende sot më shfaqen si makthe”, duke na treguar edhe neve mbi të kaluarën e saj si pianiste.
“Me sa duket, violina ka lënë gjurmë traumatike tek unë. Nganjëherë kthehej edhe në detyrim, sepse më largonte nga lojërat. Kur kam dalë në klasë të 8 nga shkolla “8 Nëntori” mbaj mend se provimi i fundit që kam dhënë ishte pikërisht violina. Mbaj mend si tani që më ka kapur një e dridhur, e cila nuk pushonte, aq sa dora nuk funksiononte të gjente notat, harku dridhej gjithashtu. Duke qenë se isha i mirë me mësime, drejtori i asaj kohe më la të largohesha nga provimi. Kështu që nuk dëgjoj muzikë klasike që atëherë”, u shpreh Braçe.





