Në një bisedë të sinqertë në podkastin MAM, ku tema kryesore ishte prindërimi dhe jeta personale, Çiljeta Xhilaga u ndal edhe te një kapitull i rëndësishëm i viteve të fundit: eksperienca në Ferma VIP dhe arsyeja pse vendosi të hynte në këtë format.

Edhe pse rrugëtimi i saj në reality show ishte pozitiv dhe e çoi deri në finalen e madhe, këngëtarja zgjodhi të mos zbulojë detaje konkrete për motivet që e shtynë drejt këtij vendimi. Ajo theksoi se gjithçka lidhej me çështje familjare, shumë të ndjeshme dhe personale, të cilat nuk dëshiron t’i ndajë me publikun.

“Është një histori e gjatë dhe shumë personale, gjëra që i përkasin familjes sime,” u shpreh Çiljeta.

Sipas saj, hyrja në Ferma VIP përkoi me një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, një moment kur po përballej me dilema dhe ngarkesa emocionale. Pa hyrë në hollësi, ajo la të kuptohet se ishte një fazë që kërkonte ndryshim dhe distancë.

“Zoti ndonjëherë sjell sprova dhe situata që të ndihmojnë të rregullosh shumë gjëra me një hap të vetëm,” tha ajo, duke e përshkruar vendimin si pjesë të një procesi të brendshëm.

Çiljeta sqaroi se ajo periudhë ishte një betejë me veten. Pikërisht kjo përballje, sipas saj, e ndihmoi të rigjente ekuilibrin, të riorganizonte mendimet dhe të nxirrte në pah versionin më të fortë të vetes. Problemet që e shqetësonin jashtë programit, me kalimin e kohës, gjetën zgjidhje.

Sa i përket marrëdhënies me fëmijët dhe partnerin e saj Albanin, këngëtarja theksoi se pjesëmarrja në Ferma VIP nuk solli asnjë krisje. Përkundrazi, ajo shërbeu si një provë që i forcoi edhe më shumë lidhjet mes tyre.

“Nuk ndryshoi asgjë, thjesht gjithçka u bë më e fortë,” tha ajo, duke pranuar se para hyrjes në Fermë ndodhej në një gjendje kolapsi emocional.

“Nëse më parë isha në një moment të vështirë, kjo eksperiencë më ndihmoi t’i forcoj marrëdhëniet dhe t’i vendos gjërat në vendin e duhur,” përfundoi Çiljeta, duke e konsideruar Ferma VIP si një kthesë të rëndësishme në jetën e saj personale dhe emocionale.