- Përpunohen mbi 75.5 mijë ton çimento për eksport, 15 herë më shumë se vitin e kaluar
Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti në portin e Durrësit ka patur një rritje prej 48 përqind në përpunimin e mallrave për eksport. Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave, rritja e këtyre volumeve i detyrohet përpunimit në rritje të çimentos për eksport.
Në Terminalin lindor gjatë këtre tre muajve, anijet kanë ngarkuar mbi 75,5 mijë ton çimento për eksport, duke shënuar një rritje prej thuajse 15 herë më shumë se sa në 3-mujorin e parë të vitit 2016, kur u përpunuan për eksport vetëm 5.347 ton çimento. Çimento “Made in Albania” e prodhuar në fabrikat pranë Fushë Krujës i drejtohet porteve të Afrikës Veriore. Ndërkohë eksporti i koncentratit të kromit dhe skrapit ka mbetur thuajse në të njejtat shifra.
Gjatë këtij 3-mujori janë përpunuar 125 anije dhe 223 tragete me mallra gjithsej, duke shënuar një rritje të eksport/importeve prej 11 përqind krahasuar me periudhën janar-mars të vitit 2016. Mallrat e eksportit në portin e Durrësit kanë patur një rritje prej 48 përqind gjatë periudhës 3-mujore, me një shifër prej 298 mijë ton mallra për eksport. Ndërkohë importet me 490 mijë ton mallra kanë shënuar një rënie prej 3 përqind, krahasuar me periudhën 3-mujore 2016.