Gjatë takimit me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, për lirinë e medias në funksion të mbrojtjes së demokracisë, kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa njoftoi se ditën e martë do të japë një raport periodik të situatës sociale të marrëdhënies së punës së gazetarëve në Shqipëri.
Çipa deklaroi se media është në një krizë të pashmangshme, ndërkohë që i bëri apel të gjithë kolegëve të investojnë më shumë në pavarësinë e editorit shqiptar.
"Unë do të preferoja më shumë që të njoftoja që ditën e martë ne do të japim një raport periodik të situatës sociale të marrëdhënies së punës së gazetarëve në Shqipëri dhe të disa çështjeve që lidhen më së shumti me pozitën e pambrojtur sociale të gazetarëve në vend. Doja të falenderoja nismën për një organizim tryeze të tillë dhe prezenca ime këtu si një përfaqësues i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë është bërë në emër të një ndërgjegje sociale që ne manifestojmë që në ditën e themelimit, 13 vite më parë. Opozita është institucion i rëndësishëm kombëtar dhe duke qenë i tillë ne ndajmë arsyetimin që opozita është një alternativë për të ndryshuar problemet që mbarten në të përditshmen e qeverisjes së dikujt tjetër dhe unë nuk e quaj shumë të dinjitetshme që nga një foltore partiake ta përdor këtë si argument dhe mësymje për atë që ka përgjegjësinë e qeverisjes sepse pozicioni i jonë professional na e imponon këtë gjë që të jemi në ekuidistancë me palët partiake të vendit. Është një shërbim i madh në cilësinë ndoshta shpesh të munguar të misionit që duhet të ketë pushteti i katërt. Është e vërtetë që ashtu sikundër të gjitha pushtetet e qeverisë janë në një krizë shumë të thellë të prekshme, të dukshme dhe të gjithë pranuar edhe brenda pushtetit të katërt ka një krizë që është e pamshmangshme. Por ajo që unë do doja ta përdorja si apel nga kjo tryezë, është se do doja t’i bëja thirrje të gjithë kolegëve, të gjithë organizatave, të rikthejnë një solidaritet i cili të jetë i mishëruar në një sipërmarrje të vendit. Do doja të investonit më shumë në pavarësinë e editorit shqiptar sepse është një nga gjërat më të munguara në të gjithë historinë e shtypit shqiptar dhe medias shqiptare në këto 28 vjet. Nëse do të ketë një nisëm të tillë dhe duke besuar te kapaciteti institucional i opozitës së vendit keni për të parë që do të jetë një kontribut për ndryshimin e brendisë dhe rolin që ka pushteti i katërt që është ai i medias në Shqipëri", tha Çipa.





