Vjedhja e automjeteve apo e targave rezulton një fenomen mjaft i përhapur. Vitin e kaluar në Durrës u denoncuan 27 automjete të vjedhura, me një mesatare rreth 2 automjete çdo muaj, ndërsa pas hekurave kanë përfunduar 8 autorë.

Ndërkohë në këto 2 muaj të parë të vitit 2024 rezultojnë të vjedhura 2 automjete, autorët e të cilëve nuk janë arrestuar ende nga policia.

Burime nga Drejtoria Vendore e Policisë konfirmojnë për “DurrësLajm” se pikësynimi i hajdutëve janë kryesisht automjetet luksoze, siç ishte rasti i disa ditëve më parë kur në zonën e Plazhit u vodh një automjet tip Range Rover.

Ndërkohë, sot, policia e Durrësit njoftoi arrestimin e ish-anëtarit të bandës së Gaxhait në Vlorë, Armando Sulejmani, i njohur ndryshe me nofkën ‘Çipuri’. Sulejmani dyshohet se ka vjedhur një makinë në Tiranë në bashkëpunim me persona të tjerë, ndërkohë që në momentin e arrestimit ka qenë duke lëvizur me një makinë të vjedhur me targa të mbivendosura. Të njëjtat targa janë të një makine Range Rover që rezulton e vjedhur disa kohë më parë në Tiranë.

Sipas policisë së Durrësit, fenomeni i vjedhjes së targave është shumë më i përhapur sesa vjedhja e automjeteve. Të njëjtat burime saktësojnë se autorët e vjedhjeve synojnë kryesisht automjete të parkuara në zona ku ka mungesë ndriçimi apo kamera sigurie.

Në njoftimin për shtyp për arrestimin e 48-vjeçarit Sulejmani, policia e Durrësit thekson se automjeti me targa të vjedhura dyshohet se do të përdorej për të kryer ngjarje kriminale. 

Është fakt i njohur tashmë, që pas çdo atentati autorët lënë pas një automjet të djegur, të cilët gjithnjë kanë rezultuar të vjedhur kohë më parë.

M.B.