Civilët në Gaza kanë refuzuar paralajmërimin për t’u evakuuar menjëherë nga qyteti për shkak të një ofensive të re që Izraeli do të nisë ndaj Hamasit.
Sipas tyre, nuk kanë as mundësi e as dëshirë të largohen duke e cilësuar urdhrin dëbim të detyrueshëm.
Kabineti qeveritar ka kërkuar që ata të largohen në të ashtuquajtur zonat e mbrojtura në jug të vendit, por për ta asnjë pjesë e qytetit nuk mund ta gëzojë këtë status.
Pavarësisht arsyetimeve, shumë banorë i qëndrojnë fort bindjes se nuk do të braktisin qytetin e tyre.
“Të pëlqen apo jo, Netanyah, ne nuk do të largohemi,” ka bërë thirrje një banor pas një sulmit që goditi shtëpinë e tij.
“Shko dhe lufto me Hamasin, vriti ata nëse mundesh. Por ne nuk jemi fajtorë. Edhe nëse do të varrosem këtu, unë nuk largohem. Kjo është toka ime.”, tha ai, mesazh i cili po bën xhiron e rrjetit.
Sipas organizatave ndërkombëtare, OKB dhe Kryqit të Kuq, vendosjet ushtarake ofrohen sipas gjykimit të Izraelit, janë të kontrolluara në mënyrë të rreptë dhe nuk ofrojnë qasje për palestinezët në zonat që nuk janë nën kontrollin ushtarak izraelit.
Shpesh civilët janë sulmuar në strehimoret e përkohshme apo edhe në pikat e grumbullimit të ndihmave ushqimore.
OKB ka njoftuar se më shumë se 1,100 persona janë vrarë që nga maji, ndërsa përpiqeshin të merrnin ushqim nga pikat e shpërndarjes të ngritura nën kontrollin izraelit apo të mbështetura nga forcat perëndimore.
Izraeli në asnjë rast nuk ka pranuar të ketë kryer sulme të tilla, por ka fajësuar Hamasin si organizator me qëllim destabilizimin.
Ushtria po ndërton aktualisht një pikë të re shpërndarjeje ndihmash pranë Rafah, 30 km në jug. Ajo thotë se po siguron gjithashtu mijëra tenda shtesë dhe po vendos një tubacion të ri uji nga Egjipti.





