Ndonëse niveli i lartë i ujit është tërhequr nga një pjesë e madhe e banesave, pasojat e përmbytjeve në këto godina janë të mëdha. Investimet e një jete kanë shkuar dëm pas daljes së lumit Erzen nga shtrati për shkak të reshjeve të dendura të shiut të të dielës së kaluar.
Orenditë elektroshtëpiake dhe mobiliet janë tashmë jashtë përdorimi ndërsa gjithë çfarë ju ka mbetur në banesa qytetarëve është balta e lluca. Para një situate të tillë të vështirë, banorët kërkojnë ndihmë nga shteti për të rikuperuar dëmet e shkaktuara nga përmbytja.
Mes lotësh një banore e Katundit të Ri në Durrës, tregon se kjo është hera e dytë që shtëpia e saj përmbytet. Ajo pohon se në vitin 2016 nuk u ndihmua nga shteti për asgjë dhe me para borxh bleu orenditë e reja shtëpiake, të cilat fatkeqësisht u shkatërruan tani.
“E dyta herë që po përmbytemi, në 2016-ën e në 2021. Kjo e dyta nuk durohet më. Punova një jetë, 30 vjet me rregullu shtëpinë, nuk më ndihmoi njeri. Me djersë e me mund…iku.
Një maune e kam hedhur në 2016 me mobilie. Shteti nuk më ka dhënë ndihmë. Akoma nuk kam shlyer borxhin e parë. Nuk jam e zonja të punoj më. Unë do të shkoj t’i rri Edi Ramës,,,, të më ndihmojë ai, se këtu komunë nuk ka. Komuna është për vete, s’është për mua.”
Dalja e Erzenit nga shtrati shkaktoi përmbytje në qindra hektarë toka bujqësore, shumë shtëpi dhe biznese. Të paktën 11 familje nga Katundi i Ri, Sukthi dhe Shijaku u evakuuan për shkak se banesat e tyre ndodheshin nën ujë. Në Katund të Ri numërohen mbi 50 banesa të përmbytura. Gjithashtu ata kanë patur dëme në gjënë e gjallë pasi uji ka arritur deri në 2.5 metra lartësi.





