Teuta ka hedhur pas krahëve barazimin ndaj Tiranës në kryeqytet dhe vëmendjen e ka zhvendosur te dy ndeshjet e radhës. Megjithatë, para se të mendojnë për përmbysjen në Kupë kundër Skënderbeut, parësore është ndeshja me Kukësin. “Djemtë e detit” duken optimistë, ndërsa stafi teknik është shfaqur mjaft kërkues.Një ndër futbollistët që ka shkëlqyer në këtë sezon është dhe serbo-boshnjaku Tarik Cmajcanin. Mesfushori shprehet se impenjimi gjatë seancave stërvitore ka qenë në nivele maksimale e tashmë lojtarët atë impenjim duhet ta tregojnë në fushën e blertë në përballjen që luajmë ndaj Kukësit. Për të nuk ka kundërshtarë të vështirë apo të lehtë, por ndeshje të cilat duhen luajtur mirë.
“Kukësi është një skuadër e fortë, ndaj ky duel paraqitet tejet i vështirë për ne. Kundërshtarin e vlerësojmë maksimalisht dhe po punojmë për këtë ndeshje, sigurisht me besimin e duhur për t’u paraqitur sa më mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të luajmë fort nga minuta e parë deri tek e fundit. Kam shumë besim se skuadra do të tregojë ç’di të bëjë. Është për t’u vlerësuar puna e trajnerit Magani dhe ndihmësve të tij, po tregojnë profesionalizëm dhe angazhim në stërvitje dhe në çdo gjë sa i përket mbarëvajtjes së punës në ekip”, u shpreh mesfushori.“E morën skuadrën në një gjendje jo të mirë dhe po e ngjisin aty ku duhet të jetë. Personalisht, kam besim tek ekipi, por e theksoj që duhet shumë kujdes. Nuk dua që të përsërisim rastet e mëparshme ku pas një apo dy rezultateve pozitive ka ardhur dhe disfata. Duhet të shmangim vetëkënaqësinë dhe të luajmë sa më thjesht. Për ne kanë rëndësi pikët dhe asgjë tjetër tani. Sa më shumë të grumbullojmë, aq më shumë i japim mundësi skuadrës që të mos rrezikojë rënien. Nëse sigurojmë qëndrimin, atëherë do të kemi dhe luksin të shikojmë për më tej”, përfundoi 22-vjeçari.