Ngjarjet me fund tragjik si pasojë e sherreve me thika në Durrës, nuk kanë qenë të pakta ndër vite, e pavarësisht këtij fakti, situata të tilla vijojnë të përsëriten e rrjedhimisht të përbëjnë shqetësim.
Adoleshentë apo të rritur, marrin forcë e pushtet nga armët e ftohta për të kërcënuar e kanosur të tjerët, për arsye nga më banalet, duke iu rrezikuar atyre jetën dhe vetes lirinë.
Një ngjarje e tillë është shënuar ditën e sotme në qytetin bregdetar, ku 17-vjeçari me inicialet V.M., banues në Durrës ka kanosur me thikë në lagjen nr.15, shtetasin A.H., 23 vjeç, banues në Durrës.
Materialet në ngarkim të adoleshentit u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale "Kanosja" dhe "Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta", sipas neneve 84 e 279 të Kodit Penal.
Por përdorimi dhe mbajtja e armëve të ftohta nga adoleshentët në Durrës ndodh rëndomtë edhe në ambientet e shkollave të qytetit.
Ashtu siç ka ndodhur ditën e djeshme, më 28.05.2018, në një shkollë të mesme, emrin e të cilës policia e Durrësit nuk e bën me dije.
Mësohet se shtetasit Y.M., vjeç 17, banues në Durrës, nga kontrolli fizik iu gjet një biçak, pa leje. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vlerësim.
NJOFTIMET E POLICISË
*Më datë 28.05.2018, tek një shkollë e mesme shtetasit Y.M., vjeç 17, banues në Durrës, nga kontrolli fizik iu gjet një biçak, pa leje. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vlerësim.
*Më datë 29.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin V.M., vjeç 17, banues Durrës, pasi dyshohet se në lagjen nr. 15, ka kanosur me thikë, shtetasin A.H., vjeç 23, banues në Durrës. Nenet 84 e 279 të Kodit Penal.





