TIRANË, 1 shtator 2013 – “Çmenden” sizmologët / gjeografë shqiptarë, teksa korrigjojnë me dorën e tyre hartën e Shqipërisë: gjirin e Lalzit nga veriu i Durrësit e çojnë në Karavasta të Lushnjës (shih etiketën në hartën e parë poshtë). Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar më 1 shtator 2013 ora: 2:1:19 (GMT) ose 4:1:19 (koha verore e Shqipërisë +2 GMT) e mëngjesit një tërmet me magnitudë 2,2 dhe epiqendër në thellësinë 7 km. Sipas departamentit të sizmologjisë (përgjegjës z. Rrapo Ormëni) tw Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (drejtor z. Marenglen Gjonaj) në Universitetin publik Politeknik të Tiranës (rektor z. Jorgaq Kaçani), ngjarja tektonike ka ndodhur në Gjirin e Lalëzit Durrës, në koordinatat 41°V, 19°L (shih hartën nr. 1, pika e kuqe, që e çon përballë… gjirit të Karavastasë!). Po ashtu, Google earth-i e lokalizon vendndodhjen e ngjarjes sizmike në detin Adriatik përballë gjirit të Karavastasë në rrethin e Lushnjës (shih hartën nr. 2, shigjeta e gjelbër dhe hartën e fundit).  

Të dhëna për Gjirin e Lalëzit

Për sizmologët (se shumica e durrsakëve, tiranasve dhe shqiptarëve me arsim 7-9-vjeçar e dinë mirë) kemi paraqitur në krye të lajmit një hartë të rrethit të Durrësit. Gjiri i Lal(ë)zit ndodhet në veri të qytetit të Durrësit, ndërmjet kepit të Palit / Bishtpallës  dhe kepit të Rodonit. Zona shtrihet përgjatë detit Adriatik për rreth 14 km. Rrethi i Durrësit ka tre gjire: të Rodonit, Lal(ë)zit dhe Durrësit.

Të dhëna për Karavastanë

Laguna e Karavastasë është 5 km larg Divjakës dhe 40 km larg qytetit të Lushnjes. Në të rriten disa lloje të rralla pishash dhe një lloj i rrallë pelikani, Dalmatian Pelican. Është zbuluar se 5 për qind e të gjithë pelikanëve të këtij lloji nw botw jetojnë aty. Është më e madhja në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut, me sipërfaqe 4330 ha, gjatësia 10.6 km, gjerësi 4.3 km dhe thellësi deri në 1.5 m. Laguna e Karavastasë është nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit, që nga viti 1994.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/