Një 42-vjeçar u vu në prangat e policisë së Tiranës këtë të hënë, pasi shkatërroi traun e parkimit të një hoteli.

42-vjeçari me inicialet A.LL., kundërshtoi punonjësit e policisë dhe dëmtoi automjetin e tyre, ndërkohë që ata u përpoqën ta neutralizonin.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë në territor, ditën e sotme, rreth orës 02:20, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Abdi Toptani”, një shtetas kishte dëmtuar traun e parkimit të një hoteli dhe po kryente veprime të dhunshme, menjëherë kanë kaluar në adresën e dhënë, për sqarimin e rrethanave të rastit dhe për shoqërimin e autorit të dyshuar. 

Shërbimet e Policisë, sapo kanë kaluar në këtë adresë, kanë konstatuar shtetasin A. Ll., 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili gjatë shoqërimit ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë dhe ka dëmtuar automjetin e tyre. Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i tij dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, tha policia në një njoftim për mediat.