Një person, i cili shkeli perimetrin e sigurisë ujore duke lundruar me mjet lundrues dhe u kthye në rrezik për pushuesit që frekuentonin plazhin në Gjirin e Lalzit, është ndëshkuar me masë administrative.

Njoftimi i policisë:

Shkeli perimetrin e sigurisë ujore dhe u kthye në rrezik për pushuesit që frekuentonin plazhin e📍Gjirit të Lalzit Durrës, ndëshkohet me masë administrative 100,000 lekë të rinj drejtuesi i mjetit lundrues dhe vendoset masa e bllokimit për mjetin lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, gjatë patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, si dhe për kontrollin e përdorimit të mjeteve lundruese, bazuar dhe në denoncimet e qytetarëve në rrjetet sociale kanë ndërhyrë menjëherë në plazhin e 📍Gjirit të Lalzit, duke bërë bllokimin e një mjeti lundrues motor uji, që kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore duke vënë në rrezik jetën e pushuesve në plazh.

Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë ndëshkuar drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin E. Ll., me masë administrative 100,000 lekë të rinj, si dhe kanë bllokuar mjetin lundrues.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.

Gjithashtu, falënderon e fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.