Një konflikt brenda familjes mes dy vëllezërve dhe bashkëshorteve përkatëse për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi. Policia ka arrestuar 35-vjeçarin Krenar L., ndërsa ka nisur procedim penal për bashkëshorten e tij si dhe xhaxhain.
Çifti akuzohet se kanë dhunuar fizikisht e psikologjikisht vëllanë dhe nusen e tij. 35-vjeçari ka kanosur me Shotgun nusen e vëllait dhe ka rrahur vëllanë e tij 44 vjeç, ndërsa e shoqja e Krenar L. ka dhunuar kunetërit e saj, burrë e grua.
Ngjarja sipas policisë:
Më datë 02.03.2017, u arrestua shtetasi Krenar L., 35 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasit N. L., 30 vjeçe dhe G. L., 76 vjeç, banues në Tiranë, sepse në Rrugën e Arbërit, në Kamëz, Krenar L., ka kanosur me armë gjahu, kunatën e tij, shtetasen A. H., 34 vjeç, banuese në Tiranë dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vëllait të tij, F. L., 44 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shtetasja N. L. (nusja e Krenar L.), ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj kunetërve të saj, F. L. dhe A. H.
Shtetasit Krenar L., iu bllokua në cilësinë e provës materiale arma e gjahut, tip “Shotgun”, të cilën e ka me leje, ndërsa xhaxhait të tij G. L., iu gjetën e bllokuan në cilësinë e provës materiale 94 copë fishekë, kalibër 7.62 mm.
Shtetases A. H., iu plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme. Materialet u referuan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ligji Nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” dhe Nenet 130/a, 278 dhe 84 të Kodit Penal.





