Milani nuk do të ndalet në merkato, teksa pas afrimeve të deritanishme, mjaft të rëndësishme, mund të shpenzohen edhe 200 milionë euro në merkato.Momentalisht janë zyrtarizuar si kuqezinj Musakio, Konti, Rodrigez, Çalhanoglu, Kesie, Borini dhe Andre Silva.“Corriere Dello Sport” ka publikuar një listë me lojtarët që synohen, shoqëruar me vlerën në treg të tyre.

Në listë është edhe Antonio Donaruma, vëllai i Xhixhit, që pritet të vijë falas.
Simon Kjaer – Mbrojtësi danez prej dy sezonesh është pjesë e Fenerbahçes në Turqi. Serinë A e njeh, pasi më parë ka luajtur për Palermon dhe Romën. Është 28-vjeç dhe vlerësohet me 8 deri në 10 milionë euro.Huan Kadrado – Mesfushor kolumbian pëlqehet nga trajneri Montela dhe një marrëveshje ku do përfshihej edhe Matia De Shiljo është e mundshme. Juventusi do ta shesë dhe ai vlerësohet 25-27 milionë euro.

Lukas Bilja – Argjentinasi i Lacios potentohet prej disa kohësh nga Milani, por Lotito deri më tani ka vendosur një çmim të lartë. Së fundmi ai nuk ka udhëtuar me skuadrën në fazë përgatitore dhe kalimi te Milani, duke përfshirë kartonin e Lapadulës, i lehtëson gjërat. Vlerësohet 14-16 milionë euro.

Hames Rodrigues – Për mesfushorin pak kohë më parë u ofruan 60 milionë euro, por dëshira e kolumbianit është tjetër. Momentalisht ndiqet nga Çelsi, PSG-ja dhe Liverpuli. Reali do 70 milionë euro për sulmuesin.

Nikola Kaliniç – Sulmuesi i Fiorentinës e ka shprehur dëshirën për të luajtur me Milanin. Kroati luan sezonin e dytë në Seria A, ku ka shënuar 27 gola, 15 në sezonin e fundit. 23-25 milionë euro vlerësohet kartoni i tij.

Obamejang – Sulmuesi nga Gaboni është edhe goditja e madhe që Milani synon në këtë merkato. U duk sikur blerja e sulmuesit nga Dortmundi kishte rënë si mundësi, por ditët e fundit është rihapur si pistë. Mendohet që marrëveshja do të mbyllet në Kinë, por duhen 75-80 milionë euro për t’ia marrë gjermanëve të Dortmund.