Është zhvilluar një tjetër finale e Copa Libertadores dhe sërish fituesi ishte nga Brazili, pasi nuk kishte se si të ndodhte ndryshe me dy skuadra braziliane që luanin në finale. Botafogo ka triumfuar në finalen e madhe të zhvilluar në Estadio Monumental në Beunos Aires me rezultat 3-1 ndaj Atletico Mineiro. Ndeshja nuk mund të kishte nisur në mënyrë më të çmendur. Në sekondën e 30-të, Botafogo që ishte favorit në letër mbeti me një futbollist më pak në fushë, pasi Gregore u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrje horror ndaj kundërshtarit. Edhe pse gjatë gjithë ndeshjes me një futbollist më pak, Botafogo dominoi në finalen e madhe të Copa Libertadores.
Fillimisht në minutën e 35-të Luiz Henrique kaloi në epërsi Botafogon dhe shtatë minuta më vonë i njëjti lojtar fitoi një penallti, e cila u shndërrua në gol nga Alex Telles për 2-0. Atletico Mineiro e filloi në mënyrë fantastike pjesën e dytë kur në minutën e 47-të shënuan për ta ngushtuar epërsinë në 1-2. E gjithë skuadra shkoi në sulm për ta kërkuar golin e barazimit i cili nuk erdhi kurrë dhe Botafogo realizoi edhe golin e tretë në minutën e 90+7 me anë të Junior Santos. Ky ishte trofeu i parë në Copa Libertadores për Botafogon dhe vazhdoi dominimi i skuadrave braziliane në këtë garë. Në gjashtë vitet e fundit në Copa Libertadores kanë triumfuar skuadrat braziliane si Palmeiras dhe Flamengo nga dy herë si dhe Fluminense së fundmi.