Një ngjarje e turpshme është regjistruar në këtë javë në futbollin italian, ku një drejtues i një klubi ka sulmuar një gjyqtare 17-vjeçare, duke i kujtuar vrasjen e studentes shqiptare, Iliara Sula, që ka pushtuar vëmendjen e mediave përtej Adriatikut. Në ndeshjen e të rinjve të moshave U17, mes Sanxhemini dhe Sporting Terni, ka qenë drejtuesi i kësaj të fundit, Ernesto Gali, ai i cili ka hyrë në pushimin e ndeshjes në dhomat e gjyqtarëve, për të sulmuar verbalisht dhe kërcënuar arbitren 17-vjeçare që drejtonte takimin. “Duhej të të kishin vrarë që të vogël, duhej të përfundojë si Ilaria Sula”, ishin fjalët e tij ndër të tjera në atë shpërthim të çmendur ndaj gjyqtares adoleshente, teksa kujtonte ngjarjen e rëndë që ka ndodhur pak javë më parë në Itali me studenten shqiptare.
Gjyqtarja kishte regjistruar një pjesë të këtyre kërcënimeve me celular, për të dokumentuar gjithçka, mes të cilave edhe frazën “në këtë pikë duhej nxjerrë ndonjë thikë”. Ajo e kishte ndëshkuar me karton të kuq, por drejtuesi ishte kthyer në tribunë duke vazhduar të sharat e duke nxitur edhe prindërit e fëmijëve të bënin të njëjtën gjë, në një ngjarje që shënon një situatë të rëndë që nuk ka kaluar pa pasoja. Komisionet Disiplinore e kanë përjashtuar atë nga aktiviteti deri në vitin 2028, por ndërkohë Shoqata e Gjyqtarëve në Itali kërkon një masë shumë më të rëndë ndaj personit në fjalë.