Histeri kolektive. Ajo që duhej të ishte vetëm një ndeshje normale futbolli, është shndërruar në një arenë të vërtetë gladiatorësh.Lojtarë të gjakosur, futbollistë të shtrirë në fushë pa ndjenja, mjekë që japin ndihmën e parë, tifozë që nuk njohin limite dhe godasin kush u del përpara. Kjo ka qenë pak a shumë situata gjatë 25 minutave të sherrit në sfidën Sportingu T.-Bulqiza, e vlefshme për Kategorinë e Tretë. Takimi, që luhej në një prej fushave në kompleksin e Kamzës, ka degjeneruar në një sherr masiv ku kanë ndërhyrë edhe tifozët.

Kapiteni i Sportingut, Elvis Shkurta, ka qenë një prej lojtarëve që ra pre e dhunës së tifozëve të Bulqizës gjatë ndeshjes së djeshme. Ai u godit me grusht nga mbrapa kokës nga një prej sportdashësve, duke rënë në fushë pa ndjenja.Vetëm pas ndërhyrjes së mjekut Edison Koçi u bë e mundur që kapiteni të përmendej dhe të fitonte vetëdijen pas katër minutash. Pas përmirësimit të gjendjes së tij shëndetësore, duke qenë edhe me profesion punonjës policie, i ka kërkuar përgjegjësit të patrullës së policisë, e cila ishte e pranishme gjatë ndeshjes, ndalimin e personit që e ka goditur pas koke dhe të dy-tri tifozëve të tjerë që kanë goditur lojtarët e ekipit të tij.