Ndeshja do të luhet më 12 prill, mes Bayern Munich dhe Real Madridit, e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, por tashmë ka filluar çmenduria në Mynih. Kërkesat e bavarezëve për bileta është deri në tri herë më shumë se sa kapaciteti që ka “Allianz Arena”. Pra, interesimi për ta parë çerekfinalen e parë mes këtyre dy skuadrave është jashtëzakonisht i madh. Siç thotë kompania, me bazë në Mynih, e cila merret me shitjen e biletave, kërkesat e marra nëpërmjet internetit janë mbi 200 mijë.
Po kaq janë edhe aplikimet për biletë të të njohurës tashmë si “El Classico” e Europës. Eshtë qartësisht e dukshme se tifozët nga të gjitha anët e Gjermanisë, por edhe të Europës, janë të etur për të qenë dëshmitarë në ndeshjen mes Ancelottit dhe Zidanes. “Coliseum”-i bavarez mund të mbajë deri në 70 mijë spektatorë në ndeshjet ndërkombëtare, por vetëm rreth 30 mijë bileta janë shpërndarë në mesin e më shumë se 200 mijë aplikimeve (kërkesave). Arsyeja është se ekziston një numër i madh abonentësh, me të drejtë pjesëmarrjeje në ndeshjet e Champions-it (35 mijë), ndërkohë që 3779 bileta (më shumë se 5 për qind, sa është rregulli i UEFA-s) do t’i marrë Real Madridi për mbështetësit e vet. Çmimi i biletave varion nga 35 euro, më e lira, deri te 150 euro, më e shtrenjta. Katër vjet më parë, kur Bayern Munich luajti për herë të fundit ndaj Real Madridit, klubi bavarez ka regjistruar një numër të ngjashëm kërkesash për bileta. Herën e fundit, kur stadiumi “Alianz Arena” nuk ishte i mbushur përplot daton më 30 janar 2007, në një ndeshje kundër Bochum. Që atëherë, gjithmonë, biletat e stadiumit bavarez janë shitur të plota.