Antoni Modeste, sulmuesi i Këlnit në Bundesligë, i cili vjen nga një sezon fantastik, me 25 gola në 31 ndeshje kampionati, ditët e ardhshme do të transferohet zyrtarisht nga Këlni te Tianzhin Kuanzhiani. Francezi 29-vjeçar ka udhëtuar sot për në Kinë, pa lejen e Këlnit, për të mbyllur marrëveshjen me klubin kinez, sepse oferta është nga ato që për 99.99% të futbollistëve vjen vetëm një herë në jetë.
Bild raporton se oferta kineze përfshin: 11 milionë euro pagë fikse, plus 1 milion për shpalljen si golashënuesi më i mirë, 2.5 milionë për kualifikimin në Champions League të Azisë, vilë e paguar, shofer personal dhe trajner personal, si dhe 15 fluturime në sezon të paguara nga klubi për familjen. Po Këlni? Largimi i sulmuesit francez është realisht ajo që ëndërron klubi gjerman, sepse kinezët i kanë ofruar 33 milionë euro! Aq nuk bën gjithë pjesa tjetër e skuadrës, ndoshta.