Ashtu si dhe ishte përfolur disa muaj më parë, notari amerikan Michael Phelps do të bëjë realitet duelin me një peshkaqen të bardhë. Një sfidë mes dy specieve të të njëjtit lloj, duke qenë se Phelps njihet me nofkën “peshkaqeni nga Baltimora”. Nëse me notarët e tjerë Phelps arrin të triumfojë gjithnjë, duke qenë një kampion, atëherë ja ku vjen ideja e Discovery Channel për një garë mes notarit kampion dhe peshkaqenit më agresiv në botë.
Por tashmë kjo nuk është më një ide, por një garë që do të zhvillohet realisht dhe do të transmetohet më 23 korrik, kur dhe nis një serial dedikuar peshkaqenëve (Shark Week). “Sportisti me më shumë medalje në botë do të përballet me gjahtarin më të egër të oqeanit”, thuhet në reklamën e përgatitur nga Discovery Channel.
Ende nuk dihen detajet e tjera të kësaj sfide, ndërkohë që Phelps, 31 vjeç dhe i tërhequr nga sporti pas Olimpiadës së Rios, një vit më parë, ka fituar 28 medalje olimpike (23 prej tyre të arta).





