Edhe tifozi më i çmendur nuk mund të kishte besuar se Leicester City do të ishte skuadra më e ndjekur dhe më e përfolur në Angli dhe në të gjithë botën. Kur kanë mbetur pesë javë para fundit në Premierligë, kërkesat për të qenë në shkallët e stadiumit të Leicester janë rekorde. Por skuadra që ka titullin "në duar" në Premierligë i ka shitur të gjitha biletat një muaj para përfundimit të sezonit. Kjo ka bërë që biletat e Leicester të dalin në treg të zi.
BBC shkruan se një biletë për ta ndjekur Leicesterin në terrenin e saj në fund të kampionatit po shitet deri në 7000 euro. 3000 deri në 4500 euro janë biletat e dorës së dytë. "Dhelprat" gjithsesi pritet të marrin masa që ky fenomen të shmanget.