30 janar 2015 –  Mediet italiane po trajtojnë gjerësisht tragjedinë e një çifti durrsakësh emigrantë në Itali. Për të mbrojtur idenitetin e fëmijëve të çiftit, ne nuk do të publikojmë mbiemrin e tyre. Afrimi emigrant në Itali me dokumente të rregullta prej 20 vjetësh i martuar me Valbonën kishin tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë.

Afrimi punonte si murator në qytezën e Barxagos (Barzago) në Provincën e Lekos (Lecco) dhe kishte fituar një emërtë mirë si jjeri i rregullt, punëtor e gojëëmbël. Familja banonte në një apartament të komunës me qira të ulët. Dukej një familje e lumtur, ku burri punonte fort, gruaja kryesisht shtëpiake punonte me raste, ndërsa tre fëmijët shkonin në shkollë. Fatkeqësisht, Valbona bashkëshortja e Afrimit, nëpërmjet rrjeteve sociale filloi të radikalizohej rreth 3 vjet më parë dhe u konvertua në (motër të Jihadit). Vuri hijabin, perçen dhe nuk dilte nga shtëpia e pashoqëruar me burrin.

Në 17 dhjetor 2014, Valbona zhduket nga shtëpia së bashku me djalin e vetëm 6 vjeçar. Afrimi, me shumë vështirësi arrin ta kontaktojë me telefon dhe ajo i thotë,që tashmë bashkë me djalin kanë mbërritur në Siri dhe u janë bashkuar kryengritësve të Kalifatit Islamik.

Afrimi, menjëherë kontakton karbinierët duke u treguar gjithçka. DIGOS, shërbimi sekret Italian si edhe karabinierët zhvillojnë hetime intensive, por gjithçka është e kotë. Afrimi arrin herë pas here të kontaktojë me të shoqen, me vështirësi. Ai është i sigurtë, që ajo dhe i biri janë në Siri sepse celulari IPhone i gruas ka një opsion lokalizues, që e përcakton vendndodhjen e gruas afër qytetit sirian të Raqqas (Raka).

Afrimi ndihet totalisht i dëshpëruar, sepse djali i tij banues në Itali, që kur ka lindur,tashmë duhet të jetojë në çadra apo fjetore refugjatësh në një vend në luftë civile. Babi Afrimi më 30 dhjetor 2014 niset për në Turqi me fluturimin më të parë të Pegasus Airlines për në aeroportin e Gaziantepit afër kufirit turko-sirian.

Me shumë vështirësi, me bakshishe arrin të penetrojë në Siri, ku patrullat e luftëtarëve të huaj të Kalifatit Islamik e ndalojnë dhe e kthejnë mbrapsht, meqenëse tashmë gruaja dhe djali nuk janë më të tijët, sepse janë në shërbim të Allahut.

Për një baba shqiptar të humbasë djalin e vetëm në këtë mënyrë është dëshpëruese. Gjendja rëndohet edhe më tepër, sepse që nga e mërkura e javës së kaluar, Valbona nuk e kontakton më, as i dërgon foto të bëra me IPhone. Fatmirësisht, prindërit e Afrimit, ndonëse në moshë të thyer të enjten në darkë mbërritën nga Durrësi në Barxago. Të paktën, dy vajzave të Afrimit nuk do t'u mungojë dashuria e gjyshërve.

Ky rast ekstrem është një tjetër shembull se çfarë pasojash të tmerrshme shkakton ekstremizmi dhe radikalizimi, veçanërisht tek më të dobëtit dhe më të pambrojturit si rasti i Valbonës dhe djalit të saj 6 vjeçar.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/